SHKK dhe Agjencia për Punësim hapin rrugën për riintegrimin e të burgosurve

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Punësim, Blerim Hasani, nënshkruan një aneks të memorandumit të bashkëpunimit, duke forcuar marrëveshjen e vitit 2010 për rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve.
Aneksi i ri parasheh angazhimin e këshilltarëve të punësimit në kuadër të programit për përgatitje për lirim dhe mbështetje pas lirimit. Qëllimi është që të ofrohet mbështetje konkrete për të burgosurit drejt integrimit në tregun e punës, duke i informuar ata mbi mundësitë e punësimit dhe trajnimet profesionale që mund të ndihmojnë gjatë tranzicionit në shoqëri.
“Këshilltarët e punësimit nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, përmes Agjencisë për Punësim, do të jenë pjesë aktive e këtij programi, duke ofruar informacion të drejtpërdrejtë mbi mundësitë e punësimit dhe shërbimet pas lirimit”, tha SHKK-ja në njoftim.
Programi synon të lehtësojë rikthimin e të burgosurve në shoqëri dhe të ulë rrezikun e rikthimit në vepra penale, duke siguruar mbështetje institucionale dhe orientim konkret gjatë procesit të riintegrimit.