Vajza 20-vjeçare fiton 3 milionë dollarë dëmshpërblim kundër Meta dhe Google

Një juri në Los Anxhelos ka vendosur në favor të një paditëseje 20-vjeçare, duke gjetur se platforma Instagram e Meta-s dhe YouTube e Google vepruan me pakujdesi dhe nuk i informuan përdoruesit për rreziqet e mundshme nga përdorimi i tyre. Paditësja pretendoi se platformat ishin dizajnuar qëllimisht për të krijuar varësi, përmes funksioneve si “infinite scroll”, dhe lidh depresionin dhe ankthin e saj me përdorimin e tyre që në fëmijëri.
Juria i akordoi paditëses një dëmshpërblim prej tre milionë dollarësh, ku 70% e shumës duhet të paguhet nga Meta. Google dhe Meta kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin, duke argumentuar se YouTube nuk klasifikohet si rrjet social dhe duke kundërshtuar akuzat.
Ky proces mund të ndikojë në qindra padi të ngjashme në SHBA, duke rritur presionin ndaj platformave për të marrë masa mbrojtëse për përdoruesit e rinj. Ky nuk është rasti i parë: më parë, një juri në Nju-Meksiko kishte gjobitur Meta-n me 375 milionë dollarë për mosveprim ndaj përdoruesve të rinj.
Rezultati i këtij rasti nxjerr në pah sfidat ligjore me të cilat përballen gjigantët e teknologjisë, duke hapur debat mbi përgjegjësitë e tyre për shëndetin mendor të përdoruesve.