Kosova pushton mediat ndërkombëtare: Finalja me Turqinë po shkruan histori
Kosova është një nga tetë kombëtaret që kanë arritur në finalet e play-offit evropian për kualifikim në Kupën e Botës, dhe mediat më prestigjioze në botë po e pasqyrojnë këtë arritje historike. Agjencia ndërkombëtare Reuters shkruan: “Kosova e vogël kërkon historinë e Kupës së Botës me ndeshjen vendimtare kundër Turqisë”, duke theksuar rritjen graduale dhe suksesin e ekipit në skenën ndërkombëtare.

Mediumi spanjoll AS përqendrohet te figura legjendare e futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Autori Alex Torres thekson: “Ndeshja që Fadil Vokrri duhej ta shihte”, duke kujtuar ndikimin e tij në suksesin e kombëtares dhe duke e lidhur finalen me stadiumin që mban emrin e tij. Megjithëse Vokrri nuk do të jetë fizikisht, kujtimi i tij mbetet i gjallë te lojtarët dhe tifozët.

Revista gjermane Kicker raporton për shpërblimin e premtuar nga Qeveria e Kosovës: 1 milion euro për fitore në finale, me mundësi për bonus shtesë në rast të kualifikimit në Kupën e Botës. Kjo tregon se suksesi i ekipit nuk është vetëm sportiv, por edhe një festë kombëtare që angazhon gjithë vendin.

Ndërkohë, mediumi italian Corriere dello Sport e përshkruan Kosovën si një “përrallë ballkanike”, duke përmendur rrënjët, largimet dhe rikthimet e lojtarëve që kanë bërë karrierë në Evropë. Yjet e kombëtares që luajnë ose kanë luajtur në Itali dhe vendet e tjera janë bërë simbol i shpresës dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët.