Kosova nis transformimin e ndihmës sociale: 15 këshilltarë të punësimit do të sjellin mundësi për të papunët

Kosova nis transformimin e ndihmës sociale: 15 këshilltarë të punësimit do të sjellin mundësi për të papunët

Kosova po bën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit të ndihmës sociale. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka siguruar një kredi prej 47 milionë eurosh nga Banka Botërore për projektin që synon të identifikojë më saktë familjet në nevojë dhe t’i ndihmojë ato të integrohen në tregun e punës.

Në kuadër të këtij projekti, ministria ka hapur procedurat për angazhimin e 15 këshilltarëve të punësimit, të cilët do të operojnë përmes Agjencisë së Punësimit të Kosovës. Roli i tyre do të jetë orientimi i të papunëve drejt mundësive reale për punësim, këshillimi për aftësitë dhe bashkëpunimi me bizneset për identifikimin e vendeve të lira të punës.

Punësimet do të shpërndahen në disa komuna të vendit, përfshirë Artanën, Graçanicën, Istogun, Rahovecin, Skenderajn dhe Vushtrrinë, duke synuar mbulimin më të gjerë të komuniteteve që kanë nevojë për mbështetje. Kontratat e këshilltarëve do të zgjasin deri në fund të vitit 2026, me një mundësi për vazhdim, ndërsa paga mujore bruto është 561 euro.

Projekti financohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm të Kosovës drejt modernizimit të sistemit të asistencës sociale, me fokus në fuqizimin e qytetarëve dhe integrimin e tyre në tregun e punës.