33 vota, 42 milionë euro: Kuvendi i Gjilanit miraton buxhetin historik për 2026

Në një seancë që u cilësua si moment kyç për të ardhmen e qytetit, Kuvendi i Komunës së Gjilanit miratoi sot buxhetin për vitin 2026 me 33 vota për. Vendimi shënon një hap të rëndësishëm drejt planifikimit dhe realizimit të projekteve zhvillimore për komunën.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, bëri të ditur se gjatë shqyrtimit të buxhetit janë pranuar rreth 10 kërkesa të propozuara nga opozita, duke theksuar se ky proces u karakterizua nga bashkëpunimi dhe përgjegjësia institucionale mes subjekteve politike.
Me vlerë totale prej 42 milionë eurosh, ky është buxheti më i lartë në historinë e Komunës së Gjilanit. Sipas Hysenit, ai krijon një bazë të fortë për investime konkrete dhe përmirësim të shërbimeve, me synimin që çdo qytetar i Gjilanit ta ndjejë ndikimin e tij në jetën e përditshme.