Dua Lipa bëhet kuratore e festivalit prestigjioz në Londër, synon të frymëzojë një brez të ri lexuesish

Dua Lipa bëhet kuratore e festivalit prestigjioz në Londër, synon të frymëzojë një brez të ri lexuesish

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa po zgjeron ndikimin e saj përtej muzikës, duke marrë rolin e kuratores për edicionin 2026 të London Literature Festival. Ngjarja do të mbahet në Southbank Centre nga 21 tetori deri më 1 nëntor, duke përkuar edhe me 75-vjetorin e këtij institucioni të njohur kulturor.

Në këtë rol të ri, Lipa do të përzgjedhë autorët pjesëmarrës, temat dhe mënyrën e organizimit të aktiviteteve, duke i dhënë festivalit një frymë personale dhe bashkëkohore. Ajo pritet të sjellë një program të pasur, përfshirë edhe aktivitete të lidhura me klubin e saj të leximit Service95 Book Club, i cili tashmë është kthyer në një platformë të rëndësishme për promovimin e librave dhe diskutimeve letrare.

“Leximi më ka mbajtur të qëndrueshme në çdo fazë të jetës sime… Të jem kuratore e këtij festivali është një ëndërr e bërë realitet”, është shprehur artistja, duke theksuar emocionin për të bashkëpunuar me autorët që admiron. Ndërkohë, drejtori artistik i Southbank Centre, Mark Ball, e cilësoi Lipën si një “forcë globale kulturore” që po frymëzon brezat e rinj përmes pasionit të saj për librin.

Ky është edicioni i 19-të i festivalit dhe vjen në një kohë sfiduese për leximin, pasi sipas National Literacy Trust, vetëm një në tre fëmijë të moshës 8-18 vjeç lexon në kohën e lirë. Përmes këtij angazhimi, organizatorët synojnë të rikthejnë interesin për librin, duke e bërë letërsinë më të afërt dhe më tërheqëse për gjeneratat e reja.