Investimet e huaja në Kosovë arrijnë 1.03 miliard euro, dominon Gjermania dhe Zvicra

Kosova ka regjistruar një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte (IHD) gjatë vitit 2025, duke arritur në 1.03 miliard euro, ose një rritje prej 30% krahasuar me vitin 2024. Sipas të dhënave të Institutit GAP, kjo tregon një interes të lartë të investitorëve për ekonominë kosovare.
Në aspektin e origjinës, Gjermania dhe Zvicra kanë qenë kontribuesit kryesorë, me respektivisht 268.7 milionë euro dhe 223.9 milionë euro, duke përbërë rreth 48% të totalit të investimeve të huaja. Investime të konsiderueshme kanë ardhur edhe nga Shqipëria (103.6 milionë euro), SHBA (92.5 milionë euro) dhe Austria (59.8 milionë euro).
Sektori që ka tërhequr më shumë investime është patundshmëria, e cila ka absorbuar rreth 770 milionë euro, ose 75% të totalit. Pas saj vijnë sektorët e aktivitetit financiar dhe sigurimeve me 124.8 milion euro (12%), tregtia me shumicë dhe pakicë me 32.1 milion euro (3%), informimi dhe komunikimi me 26.2 milion euro (3%), si dhe furnizimi me energji elektrike, gaz dhe avull me 22.1 milion euro (2%).
Të dhënat tregojnë se Kosova vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për investitorët e huaj, megjithatë ekziston një përqendrim i lartë në sektorin e patundshmërisë, duke nënvizuar nevojën për diversifikim të mëtejshëm të ekonomisë.