GEG.FM
Po lidhet…

Vera në Gjilan po vazhdon me ritëm festiv. Manifestimi tradicional “Ditët e Mërgatës – Rrënjët Tona 2026” ka mbledhur qytetarë, mërgimtarë dhe mysafirë në një javë të mbushur me muzikë, art, teatër, folklor dhe argëtim, duke e shndërruar qytetin në një pikëtakim të kulturës dhe traditës.
Programi vazhdon më 28 korrik, duke nisur nga ora 20:00 në Sheshin “Agim Ramadani” – Platoja e Teatrit, ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë koncertin me Grupin Minatori dhe Naser Berishën, ndërsa mbrëmja do të vazhdojë me program muzikor nga Dj Fisoo.
Një ditë më vonë, më 29 korrik, skena do t’i kushtohet trashëgimisë shqiptare përmes një mbrëmjeje folklorike e muzikore. Para publikut do të performojnë Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj, Selami Kolonja, Enkelejda Arifi, Hysni Alushi, si dhe Ansambli “Krahu i Shqiponjës” nga Vlora.
Në mesin e aktiviteteve më të shumëpritura është koncerti “N’Karadak Krisin Tupanat”, që mbahet më 30 korrik. Kjo mbrëmje do të bashkojë në Gjilan ansamble kulturore nga 12 shtete, të cilat do të prezantojnë valle, muzikë dhe tradita nga vende të ndryshme, duke i dhënë festivalit një karakter ndërkombëtar.
Programi kulturor vazhdon më 31 korrik në Teatrin e Qytetit, ku nga ora 20:00 do të shfaqet drama “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”, me tekst të Enver Dugollit. Shfaqja vjen si produksion mysafir nga Prishtina dhe pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme teatrore të këtij edicioni.
Manifestimi do të përmbyllet më 2 gusht, në ora 22:00, në Parkun Banja, me Stand Up Comedy Night. Në skenë do të ngjiten Avni Shkodra, Esat Shabani, Hasim Sopi, Memish Kushtrim Qerimi dhe Valina Muçolli, duke e mbyllur javën festive me humor dhe atmosferë të veçantë.
Përmes një programi që ndërthur muzikën, teatrin, folklorin dhe artin, “Ditët e Mërgatës – Rrënjët Tona 2026” vazhdon të forcojë rolin e Gjilanit si një nga qendrat kryesore kulturore të verës, duke afruar mërgimtarët me vendlindjen dhe duke krijuar hapësira të përbashkëta për kulturë, argëtim dhe bashkëjetesë.
Redaksia Geg FM Radio28 korrik 2026


Kamenica Summer Fest 2026 vazhdon me aktivitete të shumta. Sonte, më 27 korrik, Kastriot Tusha ngjitet në skenën e Sheshit “Metush Krasniqi” për një mbrëmje muzikore që nis në orën 21:00.

Organizimi “Ditët e Mërgatës – Rrënjët Tona 2026” vazhdon në Gjilan deri më 2 gusht me koncerte, ekspozita, teatër, folklor dhe stand-up comedy, duke sjellë një javë të pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike.