GEG.FM
Po lidhet…

Gjilani po jeton atmosferën e një prej organizimeve më të mëdha të verës. Pas një fundjave të mbushur me koncerte dhe aktivitete festive, manifestimi “Ditët e Mërgatës – Rrënjët Tona 2026” vazhdon edhe gjatë kësaj jave me një program të pasur që sjell muzikë, teatër, art pamor, folklor dhe humor.
Mbrëmjen e 27 korrikut, duke filluar nga ora 20:00, në Sheshin “Agim Ramadani” – Platoja e Teatrit, publiku do të shijojë një koncert me interpretime live nga Kori i Fëmijëve, Kori Muza, këngëtari i mirënjohur Sabri Fejzullahu dhe Blerona Bucolli, ndërsa atmosfera do të plotësohet edhe me program muzikor nga DJ.
Programi vijon më 28 korrik me dy aktivitete kulturore. Në ora 19:00, në Galerinë e Arteve të Gjilanit, do të hapet ekspozita kolektive “Egzistenca 4”, ku artistë të ndryshëm do të prezantojnë krijimet e tyre. Më pas, në ora 20:00, në Sheshin “Agim Ramadani”, skena do t’i takojë DJ Minatorit dhe Naser Berishës, të cilët do të sjellin një mbrëmje ritmike dhe argëtuese.
Më 29 korrik, manifestimi i kushton vëmendje traditës shqiptare me një mbrëmje folklorike e muzikore ku do të performojnë Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj, Selami Kolonja, Enkelejda Arifi, Hysni Alushi dhe Ansambli “Krahu i Shqiponjës” nga Vlora.
Një nga ngjarjet më të veçanta pritet të jetë koncerti “N’Karadak Krisin Tupanat”, më 30 korrik, ku në Gjilan do të mblidhen ansamble kulturore nga 12 shtete të botës, duke sjellë një mozaik të pasur kulturash, vallesh dhe traditash folklorike.
Aktivitetet vazhdojnë më 31 korrik në Teatrin e Qytetit, ku nga ora 20:00 do të shfaqet drama “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”, me tekst të autorit Enver Dugolli. Shfaqja vjen si një produksion mysafir nga Prishtina dhe pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore të manifestimit.
Edicioni i sivjetmë do të mbyllet më 2 gusht, në ora 22:00, në Parkun Banja, me një mbrëmje Stand Up Comedy Night. Në skenë do të ngjiten Avni Shkodra, Esat Shabani, Hasim Sopi, Memish Kushtrim Qerimi dhe Valina Muçolli, duke e përmbyllur manifestimin me humor dhe atmosferë festive.
Me një program që bashkon muzikën, artin, teatrin dhe traditën, “Ditët e Mërgatës – Rrënjët Tona 2026” po e kthejnë Gjilanin në një qendër të rëndësishme kulturore gjatë verës, duke krijuar një hapësirë takimi mes qytetarëve, mërgimtarëve dhe artistëve nga trojet shqiptare e më gjerë.
Redaksia Geg FM Radio27 korrik 2026


Kamenica Summer Fest 2026 vazhdon me aktivitete të shumta. Sonte, më 27 korrik, Kastriot Tusha ngjitet në skenën e Sheshit “Metush Krasniqi” për një mbrëmje muzikore që nis në orën 21:00.

Si ishte Gjilani në shekullin XIX dhe XX? Kujtim Shahiqi sjell një rrëfim për historinë e qytetit, xhamitë, zejtarët, lagjet, bankat dhe ngjarjet që formësuan identitetin e tij.