GEG.FM
Po lidhet…

Një rrugëtim nëpër kujtimet e qytetit, nga xhamitë dhe pazaret te zejtarët, bankat dhe njerëzit që i dhanë identitet Gjilanit.
Shkruan: Kujtim Shahiqi
Gjilani, një qytet modern, i cili me siguri, si çdo qytet, ka një histori të vetën nëpër shekuj e dekada.
Thonë se nuk duhet harruar historinë nëse ndërton të ardhmen. Sot shumë pak kanë mbetur nga monumentet historike, duke filluar nga institucionet shtetërore, fetare, shkollore, shtëpitë e beglerëve, ura e hamami, ku dikur krenohej Gjilani. Do të kthehemi prapa në histori, por jo edhe aq larg.

Më 18.06.1867 qytetin e kishte vizituar Beqir Pasha. Zarija Popoviç, pas qarjes (humbjes) së Saffet Pashës më 3 mars të vitit 1878 në Yesilkoi dhe Kongresit të Berlinit, ishte gëzuar pa masë se qyteti do t'i takojë Serbisë. Radomir Putnik dhe gjeneral Radivojeviç kishin arritur buzë qytetit. Me vendimet e Kongresit të Berlinit në vitin 1878, qyteti i Gjilanit i takonte Perandorisë Osmane, ndërsa kufiri bartet në Ristovc. Zarija Popoviç, një shkrimtar i madh serb, i cili ka lindur në Gjilan, thotë se Gjilani në atë kohë kishte 200 shtëpi dhe shpërngulet i demoralizuar në Vrajë.

Më 1881 Gjilanin e vizitoi Sattetin Pasha dhe, si fetar i devotshëm, kishte falur namazin në xhaminë e qytetit "Shahëzade". Më 22.06.1897 Gjilanin e atëhershëm e viziton konsulli i Serbisë në Prishtinë, Todor Stankoviç, i cili nuk ishte pritur dhe mirëpritur nga Mustafa Bej Gjinolli, por kishte vizituar Hysen Okllapin në kullën e Koretishtës, me ç'rast ishte ankuar për djegien e kishës "Shën Nikolla". Sipas disa shënimeve serbe, ajo daton nga viti 1342, por sipas disa shënimeve apo defterëve turq ajo përmendet në vitin 1455, edhe pse gjatë dekadave është djegur disa herë.
Në shënimet e "Kosova Vilayeti Salnamesi" të vitit 1291/1874 thuhet se qyteti ka 2 xhami, 160 dyqane, një bezistan, një shatërvan, një teqe, dy depo, një sahat-kullë, 11 çezme dhe një kishë. Shumë apo pak, ky ishte Gjilani i viteve 1874.
Nëse nga cila do pjesë e qytetit të sotëm do të dilni në qendër të qytetit, aty do ta shihni xhaminë e "Madhe", siç e quajmë sot, e dikur emri i saj ishte Xhamia "Shahëzade". Kush e ndërtoi këtë xhami, pse ajo është prishur nga themeli për t'u ndërtuar rishtas në themelet e saja të dikurshme.
Gruaja e Jashar Beg Gjinollit ishte motër me nënën e Ahmet Xhevdet Pashës. Më 1250 sipas hixhrit ndërtohet Xhamia "Shahëzade" në qendër nga ana e Mehmet Tahir Pashës nga Prizreni, pasi vajza Shahëzadeja ishte e martuar në Gjilan për Mustafa Dizdarin. Kaleshi në testamentin e vakufhanes të Mahmut Pashës, në faqen 58, prezanton se Mahmut Pasha kërkon të këndohen hatme për shëndetin e motrës Shahëzadës derisa të jetë gjallë, ndërsa pas vdekjes për shpirtin e saj. Ky dokument daton nga viti 1247 sipas hixhrit ose 12.06.1831.
Xhamia e "DEREMAHALLES"
Këtë xhami disa e quajnë xhamia e vogël, kurse në popull njihet me emrin Deremahalla ose Xhamia e Usta Rexhepit, pasi ishte vakufhane e Usta Rexhep Nallbanit. Usta Rexhepi kishte shtëpinë dhe "nallbanhanen" pas vareve që quheshin varet e turqelive në qendër.

Statusi i kësaj xhamie ishte se atë kinse kishin të drejtë ta vizitonin vetëm banorët e rinj të kësaj "mahalle" ose lagjeje. Thonë se është ndërtuar sipas modelit të xhamisë në Dobërqan. Në këtë "mahall" (lagje), me rastin e ndërtimit kanë jetuar Puriqët nga Cërnica, familja e Ismajlit nga Livoqi, Dobërqanlitë, Rukovcët, disa familje Konjufca, Bajram Llashtica e kështu me radhë. Kjo xhami ishte ndërtuar edhe për vizitorët e "hanit" dhe nallbanhanes të Usta Rexhepit. Prapa kësaj xhamie ishte "vakëfi" i Suhbi Beg Gjinollit, vëllait të Abdurahman Gjinollit, prej 18 ari. Ky objekt fetar është ndërtuar në vitin 1933 dhe në të njëjtin vit është finalizuar me të hollat dhe donacionin e Usta Rexhepit. Prej vitit 1937 deri më 1944 imam i kësaj xhamie ka qenë Mulla Ymeri nga Llashtica, babai i Esatit, Abdullahut, Raifit dhe Hamdiut, i cili pushkatohet me djalin Esatin në vitin 1944. Pas këtij rasti detyrën e merr Mulla Mustaf Puriqi, ku shtëpinë e kishte përreth xhamisë deri më 1971, ku pastaj vjen Mulla Enveri nga Malisheva e Gjilanit, që edhe sot e kësaj dite është imam i xhamisë.
Në vendin ku sot janë zyrat e "Hidromoravës", apo te "Bazeni", siç e quajnë gjilanasit, kanë qenë varret e romëve. Pas këtyre varrezave vendosen "muhagjerët" ose jabangjit - ardhacakët.
Pas këtyre varrezave vendosen "muhagjerët" ose jabangjit - ardhacakët. Me dekretin e Hysein Milles, i cili ndërton kazermën ushtarake për batalionin e katërt, varrezat barten në qendër të qytetit të sotëm, apo ta keni më të qartë, aty ku sot është objekti i burgut, gjyqi i dikurshëm apo K. Komunal i tanishëm, kinemaja, teatri i qytetit deri te shkolla fillore dikur "Vuk Karaxhiq", sot "Thimi Mitko". Këto varreza kanë qenë në këtë lokacion deri më vitin 1950, kur fillon ndërtimi i burgut. Në vitin 1923 paria e atëhershme e qytetit, e përbërë nga serbët lokalë, sjell një dekret për largimin e varrezave nga qendra e qytetit për një lokacion të ri pas fabrikës së duhanit, ku edhe sot e kësaj dite janë të vendosura varrezat e qytetit.

Gjilani, si çdo qytet i asaj kohe, nuk kishte ndonjë industri të zhvilluar, por kishte zejtari të shumta me zanate të llojllojshme. Berberë, kapelapunues, pushkatarë ose, si i quanin në atë kohë, "tyfekgjit", lëkurëpunues, kazangjinj e kështu me radhë. Këto zanate ishin të domosdoshme për funksionimin e nevojave të asaj periudhe. Me modernizimin e jetës, shumë nga këto veprimtari nuk ekzistojnë fare.
Fillojmë me një zejtari që sot në Gjilan është shuar fare.
Kapuqagjinjtë apo Kapuqëpunuesit
Muharem Jaha me vëllezërit Isa dhe Ramë Jahën kishin shitoren e leshpunuesit në rrugën "Boris Kidriq". Shitorja ishte marrë me qira nga këta zejtarë, se ata ishin ardhacakë nga Gjakova në vitin 1951.
Muhamet dhe Selim Mulla, po ashtu ardhacakë nga Gjakova, kishin shitoren e tyre të hapur në vitin 1952.
Haki Lota, po ashtu nga Gjakova, në vitin 1959 hap shitoren e tij.

Gjilanasit para Luftës së Dytë Botërore bartnin fesa të kuq ose fesa me ngjyrë të zezë. Hoxhallarët dhe dervishët mbanin fesa të kuq të mbështjella me potiskë të bardhë, ndërsa, për ironi, efenditë apo qytetarët (shehrit) e Gjilanit mbanin fesa me ngjyrë të zezë. Të gjitha këto i merrnin në Shkup, Prishtinë apo gjetiu. Në mungesë të fesave të zinj, shumë pleq përdornin sheshira duke ua hekurosur harkun. Rreth vitit 1968 në Gjilan fillon një trend i ri, bartja e beretave franceze. Një numër i vogël i qytetarëve, si Mulla Ahmeti, Qamil Beg Gjinolli dhe Emin Osmani, përdornin sheshirë.
Pushkatarët – TYFEKGJIT
Njëri nga pushkatarët e parë në Gjilan njihet, sipas shënimeve tona, Riza Daku, me shtëpi në "Balec" mëhallë (lagje), me punëtorinë e tij pas komunës së djegur në qendër të qytetit.
Idriz Velegllava shitoren e kishte te komuna e vjetër, e cila u dogj në vitin 1947. Me këtë rast janë djegur edhe shitorja e tyre.
Berberët – Floktarët e Gjilanit
Në vazhdim do t'ju japim emrat e berberëve-floktarëve të Gjilanit, por edhe nofkat e tyre, siç njiheshin në qytet.
1. Beqiri i Sulejman Shurdhës
2. Sadik Bërka
3. Halit Leskovqa, i cili veprimtarinë e kryente në spitalin e Gjilanit. Ka vdekur më 1998.
4. Abdyl Maliqi Zarbinca, i cili vdiq nga paraliza në vitin 1993. Ka punuar në kooperativën e atëhershme të berberëve-floktarëve.
5. Mahmut Dindar nga Dobërqani me shitore tek ish "Jugobanka".
6. Kurteshi i Mullasherifëve me shitore pas xhamisë.
7. Reshati i Mullasherifëve, punoi te kooperativa e berberëve.
8. Nezi i Mullasherifëve, punoi në kooperativën e berberëve.
9. Nexhati i Mullasherifëve.
10. Mille Billovareviq me shtëpi në Deremahall.
11. Nexhip Llabjani, punoi në kooperativën e berberëve.
12. Tefik berberi.
13. Osman Llabjani, i cili vdiq në vitin 1995 nga infarkti në zemër.
14. Mehmet Meta vdiq në vitin 1993 nga zemra.
15. Muharrem Granica.
16. Ramadan berberi, vëlla nga nëna me Asllan dhe Basri Livoqin. Vdiq në vitin 1993.
17. Vllada berberi.
18. Kuma dhe Moma berberi.
19. Zija, vëllai i Fehmiut.
20. Qeda Maksimoviq.
21. Hasan Adilovci nga Dobërqani, i cili vdiq në vitin 1996.
22. Zejnelabedin Mustafa - Abidushi nga Koretini.
23. Galip Sahiti - Lipovica me shitore në fillim të rrugës dikur "7 Koriku".
24. Faik Huskovci nga Dobërqani, i cili shpërngulet në Turqi, ku pas një kohe kthehet prapë në Gjilan me shitore tek Shkolla Ekonomike.
25. Rexhep Osmani, i shpërngulur në Izmir të Turqisë.
26. Musa Salihu nga Pogragja me punëtori te xhamia në qendër. Një kohë punoi djali Jusufi, i cili vdiq nga TBC, pastaj Abdyl Maliqi dhe shumë të tjerë.
27. Jusuf Islami - Pllanaliu me punëtori mbi lumin Dobrush. Te Jusufi morën zanatin shumë frizerë, të cilët pastaj u pavarësuan dhe zhvilluan bizneset e veta, siç janë vajza Shukrija dhe Milla.
28. Xhavit Hashani me punëtori te shkolla "Vuk Karaxhiq", sot "Thimi Mitko".
29. Rifat Brahimi me punëtori tek enti i vjetër i punësimit.
30. Enver Shaqiri me shitoren "Brion" tek kazerma.
31. "Nora" tek çerdhja e fëmijëve në Gavran - sot nuk ekziston.
Është karakteristikë e asaj kohe se rrojtoret, përveç funksionit të tyre primar, kanë qenë edhe qendra informative ku është ditur gjithçka. Aty kanë rrjedhur informatat e para për ngjarjet më të freskëta ditore.
Alltëngjit – Argjendarët e Gjilanit
Boshko Kujungjiu, babai i Aca Tarzanit.
Shaban Bekri Kujungjiu, që kishte bashkëshorten rome.
Maksut Maloku me shitoren në rrugën ish "Boris Kidriq".
Skender Basha me tri shitore.
Mejdi Basha me një shitore.
Nijazi Osmani /Xhaxhi/ me tri shitore.
Ramadan Imeri - Tërnoci me një shitore.
Toza Sahagjiu me një shitore.
Avdi Haziri nga Radivojci me një shitore pas xhamisë.
Reshat Haziri nga Radivojci me një shitore pas xhamisë.
Haki Hoxha nga Cërnica me një shitore pas xhamisë.
Haki Hasani nga Lluqani me shitore në ish rrugën "Boris Kidriq".
Osman Osmani nga Bukoviku me shitore pas xhamisë.
Besnik Pajaziti - Klaiqi me shitore pas xhamisë.
Bujar Daku me shitore pas xhamisë.
Xhemajl Bajrami - Malisheva me shitore pas xhamisë.
Sabri Ahmeti nga Vrapçiqi me një shitore pas xhamisë.
Naim Jerliu nga Dazhnica me një shitore pas xhamisë.
Selami Hajdari nga Llashtica me një shitore pas xhamisë.
Hafiz Emërllahu me një shitore pas xhamisë.
I gjithë furnizimi i asaj kohe me këtë metal të çmueshëm sillej nga Turqia si produkte të gatshme. Nijazi Osmani /Xhaxhi/ dhe Skender Basha u furnizuan me disa makina nga Italia, ku kishin për qëllim të prodhonin hallka të arit. Si duket, nuk u tregua profitabile dhe ndërprenë punën pas disa viteve.
Bankat në Gjilan që datojnë nga viti 1923
Banka "Kosovo", e formuar në vitin 1923.
Banka e "Novobërdës", më 1929.
Banka "Poloprivredna" e Arsiqve, më 1933.
Banka e Kosovës, e cila në vitin 1993, pas masave të dhunshme të regjimit serb, transferohet në "Bankën e Beogradit".
Banka e Lubjanës ose "Lublanska Banka", e cila falimentoi pasi Sllovenia shpalli pavarësinë në vitin 1991.
"Jugobanka".
"Invest Banka".
"Banka Kreditore" e N. Sadit tek parku i qytetit, që udhëhiqej nga vëllezërit "Cuckiq", e cila po ashtu falimentoi.
Zakonisht bankat në qytetin e Gjilanit udhëhiqeshin nga serbët, pasi që ata kishin pushtetin dhe beneficionet e një shtrese të privilegjuar, siç e konsideronin veten serbët e Gjilanit të kohës së viteve '20-'30 deri në fund të viteve '90.
Redaksia Geg FM Radio22 korrik 2026

Kamenica Summer Fest 2026 vazhdon sonte me turneun e streetball-it në Sheshin “Metush Krasniqi”. Gara nis në orën 18:00 dhe ofron shpërblime për ekipet fituese.

Edicioni i katërt i Kamenica Summer Fest hapet sonte në orën 20:00 në Sheshin “Metush Krasniqi”, duke sjellë një verë plot muzikë, kulturë, sport dhe argëtim për të gjitha moshat.

Gjilani nis më 25 korrik manifestimin “Ditët e Mërgatës 2026”. Shihni programin e plotë me koncertet, ekspozitat, shfaqjen teatrore dhe Stand Up Comedy Night.