Hyseni viziton “ASK Foods”: “Ky është Gjilani që duam, qytet i zhvillimit, inovacionit dhe mundësive”

Hyseni viziton “ASK Foods”: “Ky është Gjilani që duam, qytet i zhvillimit, inovacionit dhe mundësive”

Kanë mbetur edhe 10 ditë deri më 12 tetor, kur qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet lokale, ndërsa fushatat e kandidatëve për kryetar komune po zhvillohen me intensitet përmes tubimeve, takimeve me qytetarë dhe vizitave në biznese.

Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit dhe kandidati për një mandat të dytë, Alban Hyseni, ka vazhduar takimet e tij me bizneset e qytetit. Së fundmi, ai ka vizituar kompaninë e njohur “ASK Foods”, e cila është një prej firmave më të suksesshme në Gjilan, me mbi 100 punëtorë dhe produkte që tashmë shiten edhe në disa shtete të botës.

Në vizitë, Hyseni u shoqërua nga kandidatët e listës së tij për Asamble, Kushtrim Ibrahimi dhe Sabri Rexhepi. Ai u prit nga pronari i kompanisë, Erton Namoni, i cili ndau rrugëtimin e suksesit të biznesit, duke theksuar përkushtimin dhe punën e palodhshme që e ka bërë “ASK Foods” një brend me reputacion ndërkombëtar.

“Pata kënaqësinë që bashkë me dy kandidatët e listës tonë fituese për Asamble, Kushtrim Ibrahimi dhe Sabri Rexhepi, të vizitojmë ‘ASK Foods’, një kompani gjigante në Gjilan, që ka mbi 100 punëtorë dhe një histori të jashtëzakonshme suksesi. Është jashtëzakonisht inspiruese të shohësh biznese të tilla në Gjilan, që kanë depërtuar me sukses dhe guxim. Ky është Gjilani që duam: qytet i zhvillimit, inovacionit dhe mundësive për çdo sipërmarrës të vendosur”, ka shkruar Hyseni në një postim në Facebook.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, gjatë fushatës po e thekson rëndësinë e mbështetjes për sipërmarrësit dhe bizneset lokale, duke e parë këtë si një shtyllë kyçe për zhvillimin ekonomik të Gjilanit.