“God Bless America” ngjitet në skenë në natën e katërt të festivalit “Talia e Flakës 2026”

“God Bless America” ngjitet në skenë në natën e katërt të festivalit “Talia e Flakës 2026”

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2026” vazhdon rrugëtimin e tij artistik në Gjilan me natën e katërt të programit, e cila mbahet të martën, më 27 janar 2026, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin e Gjilanit.

Në kuadër të kësaj nate, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqjen “God Bless America”, një produksion i Teatrit të Gjilanit, që vjen si e vetmja shfaqje jashtë konkurrencës në këtë edicion të festivalit. Festivali organizohet nga Varg e Vi, me mbështetjen e Komunës së Gjilanit, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Teatrit të Gjilanit.

Shfaqja mban autorësinë dhe regjinë e Fatos Berishës, ndërsa asistente e regjisorit është Emine Toska. Dramaturgjia është realizuar nga Shkelzen Berisha, skenografia nga Bekim Korça, me asistencë të Shkëlqesa Salihut. Muzika origjinale është kompozuar nga Robert Nuha, ndërsa dizajni i dritave dhe video-arti mbajnë firmën e Burim Baftiu. Kostumografia është punuar nga Leudita Hyseni.

Organizimi teknik dhe artistik përfshin një ekip të gjerë profesionistësh: organizator Dhurim Ismaili – Dajki, tonist Alban Limoni, rekuizita nga Suad Berisha dhe Artan Limoni, rrobaqepëse dhe garderobiere Kledia Kurtalani, make-up Minka Fejzullahi, teknik ndriçimi Xhabir Bilalli, ndërsa realizimi i skenografisë është bërë nga Mejdi Hoti, Haki Aliu, Fehmi Hoti dhe Selami Hoti.

Në skenë interpretojnë aktorët: Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Ali Demi, Aurita Agushi, Alban Shahiqi, Artan Selimi, Bashkim Nexhipi, Safete Mustafa-Baftiu, Mejreme Berisha, Tringa Hasani dhe Florent Salihu.

God Bless America” konsiderohet një shfaqje e guximshme, e errët dhe therëse, e ndërtuar si një komedi e zezë që zhvesh hipokrizinë e shoqërisë moderne. Përmes humorit të zi dhe ritmit të shpejtë, shfaqja trajton tema të forta si konsumi i pakontrolluar, normalizimi i dhunës dhe humbja e njeriut në një realitet të kthyer në spektakël. Ajo shtron pyetje të drejtpërdrejta për shoqërinë e sotme, narrativat që na imponohen dhe mundësinë – ose jo – të kthimit mbrapa.

Shfaqja është fituesе e shumë çmimeve në festivalet e teatrit në vend, megjithatë, në kuadër të “Talia e Flakës 2026”, ajo nuk është në garë për çmime, duke u prezantuar si një ngjarje e veçantë artistike për publikun gjilanas dhe dashamirët e teatrit.

Nata e katërt e festivalit pritet të sjellë një përjetim intensiv dhe reflektues, duke e forcuar më tej profilin e “Talia e Flakës” si një hapësirë e rëndësishme për dramën bashkëkohore shqipe.