Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi bëhen pjesë e historisë së pullave postare të Kosovës

Dy nga emrat më të njohur të alpinizmit kosovar, Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi, janë nderuar me një emetim të veçantë të pullave postare në Kosovë. Ky vlerësim i kushtohet jo vetëm arritjeve të tyre sportive, por edhe guximit dhe përkushtimit me të cilin ato kanë përfaqësuar vendin në majat më të larta të botës.
Ceremonia e promovimit u zhvillua në prani të dy alpinisteve, ku u kujtua rrugëtimi i tyre frymëzues – nga sfidat e ekspeditave malore deri te momentet kur flamuri i Kosovës është ngritur në disa prej majave më të larta të planetit.
Ministrja Artane Rizvanolli i përgëzoi ato për sukseset dhe qëndrueshmërinë e treguar ndër vite, duke theksuar se historia e tyre është një dëshmi se përkushtimi dhe puna e palodhur mund ta çojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare.
Në këtë ceremoni u theksua gjithashtu se rrëfimet dhe arritjet e tyre janë modele frymëzuese për të rinjtë, duke i inkurajuar ata të ndjekin ëndrrat dhe të kultivojnë një jetë aktive në natyrë.
Gjatë takimit, Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi ndanë përvoja nga ekspeditat e tyre, duke folur për sfidat, momentet e vështira dhe motivimin që i ka shtyrë të vazhdojnë drejt majave të reja.
Pullat postare iu dorëzuan nga kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, e cila theksoi se përfshirja e dy alpinisteve në filatelinë e Kosovës është një mënyrë për të ruajtur dhe për të ndarë me botën historitë e suksesit që e bëjnë vendin krenar.