Xhudoja kosovare drejt një epoke të re: Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Xhudoja kosovare drejt një epoke të re: Vihet gurthemeli i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Sot, duke filluar nga ora 09:00, në Pejë është zhvilluar ceremonia e vënies së gurthemelit për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, një projekt i rëndësishëm që synon të forcojë më tej sukseset e këtij sporti në Kosovë dhe të krijojë kushte moderne për gjeneratat e reja të sportistëve.

Në ceremoninë zyrtare morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Blerim Gashani, kryetari i Federatës së Xhudos Agron Kuka, si dhe trajneri i mirënjohur i xhudos Driton Kuka, përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit sportiv.

Ky projekt shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejmë të xhudos kosovare, një sport që ka sjellë për Kosovën disa nga sukseset më të mëdha ndërkombëtare, përfshirë medaljet olimpike të Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

Një projekt për standarde ndërkombëtare

Sipas planit të prezantuar gjatë ceremonisë, zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos do të përfshijë një palestër të re me standarde ndërkombëtare, si dhe objekte përcjellëse multifunksionale, duke përfshirë hapësira akomodimi për sportistët, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Qendra synon të shndërrohet në një pikë referimi për stërvitje dhe gara ndërkombëtare, duke ndihmuar edhe në zhvillimin e turizmit sportiv në Kosovë.

Kryeministri Kurti theksoi se ky investim është pjesë e programit “Kosova, shtet i xhudos”, një iniciativë që synon ta forcojë pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare të këtij sporti.

“Ky projekt do të ofrojë kushte të standardeve ndërkombëtare dhe do ta forcojë rolin e Kosovës si një qendër të rëndësishme të xhudos në Evropë,” tha Kurti gjatë ceremonisë.

Ai shtoi se infrastruktura e re sportive do të shërbejë edhe për organizimin e garave të sporteve luftarake në kuadër të Mediterranean Games 2030, të cilat pritet të mbahen në Kosovë.

Një rrugëtim që nis nga sakrifica

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, kujtoi historinë e këtij sporti në Pejë, duke theksuar se rruga e xhudos kosovare ka nisur në kushte shumë më të vështira.

Ai theksoi se vendosja e këtij gurthemeli hap një kapitull të ri për sportin, duke krijuar mundësi më të mëdha për zhvillimin e talenteve dhe për organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.

Ndërsa trajneri i njohur Driton Kuka e cilësoi këtë moment si një vulë të një sakrifice shumëvjeçare, duke shtuar se qendra e re do t’i japë xhudos kosovare kushte të barabarta me vendet më të fuqishme të botës në këtë sport.

Drejt një akademie ndërkombëtare të xhudos

Me ndërtimin e kësaj qendre, Kosova synon të krijojë jo vetëm një hapësirë moderne për përgatitjen e sportistëve vendas, por edhe një akademi ndërkombëtare stërvitore, ku mund të zhvillohen kampe dhe gara me pjesëmarrje nga sportistë të vendeve të ndryshme.

Investimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e sportit, promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe krijimin e mundësive të reja për brezat e rinj që synojnë majat e xhudos botërore.