Bebe Rexha zbulon traditat shqiptare të mikpritjes në emisionin amerikan “Delish”

Bebe Rexha zbulon traditat shqiptare të mikpritjes në emisionin amerikan “Delish”

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka ndarë së fundmi me publikun amerikan disa nga traditat më interesante të mikpritjes shqiptare. Ajo ishte e ftuar në emisionin e njohur “Delish Snacks”, ku foli për ushqimet që i pëlqejnë, por edhe për kulturën me të cilën është rritur.

Edhe pse ka lindur dhe është rritur në New York, Rexha tregoi se në familjen e saj traditat shqiptare kanë qenë gjithmonë shumë të pranishme, sidomos kur bëhet fjalë për pritjen e mysafirëve në shtëpi.

Gjatë intervistës, ajo shpjegoi se mikpritja shqiptare zakonisht fillon me çokollata të vogla, që shërbehen si një gjest i parë i ëmbël për mysafirët. Më pas, në tavolinë vendosen lëngje frutash ose pije të gazuara, ndërsa atmosfera bëhet edhe më e ngrohtë me një tabaka me ushqime të kripura si çipsa apo kikirikë.

Por momenti më argëtues i bisedës erdhi kur këngëtarja tregoi një “rregull të pashkruar” të mikpritjes shqiptare.

Sipas saj, kur në fund të vizitës shërbehen fruta, kjo shpesh është një shenjë e heshtur se është koha që mysafirët të çohen.

“Është një rregull që nëse e kupton, e kupton vet. Kur vijnë frutat, është si një sinjal i butë që erdhi koha për t’u çuar,” tha Rexha me humor, duke shkaktuar të qeshura në studio.

Moderatorja e emisionit u habit nga kjo traditë dhe e pyeti nëse vërtet ndodh kështu. Bebe Rexha e konfirmoi me buzëqeshje, duke e kthyer momentin në një nga pjesët më argëtuese të intervistës dhe duke sjellë një copëz të kulturës shqiptare para audiencës amerikane.