GEG.FM
Po lidhet…
Eduard Dervishaj, drejtuesi shqiptar i Federatës Spanjolle të Futbollit, me rol kyç edhe në organizimin e Botërorit 2030.
Ka shqiptarë që lënë gjurmë larg vendlindjes, e një prej tyre është edhe Eduard Dervishaj. I lindur dhe rritur në Tiranë, ai prej gati tri dekadash është pjesë e strukturave drejtuese të Federatës Spanjolle të Futbollit, ku ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në nivelet më të larta të administrimit të futbollit.
Dervishaj jeton në Spanjë që nga viti 1997 dhe aktualisht mban postin e drejtorit të Departamentit Ndërkombëtar dhe Operacioneve në Federatën Spanjolle të Futbollit. Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë përgjegjës për organizimin e katër finaleve të Ligës së Kampionëve, ndërsa vitin e kaluar iu besua edhe një nga detyrat më të rëndësishme në futbollin botëror – drejtimi i organizimit të Kupës së Botës 2030, e cila do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Së fundmi, Dervishaj ishte pjesë e delegacionit të kombëtares së Spanjës gjatë turneut të saj në Amerikën e Veriut, ku skuadra u kurorëzua kampione e botës. Pas triumfit, ai ndau në rrjetet sociale fotografi me trofeun dhe me përzgjedhësin Luis de la Fuente, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët për përvojën e jashtëzakonshme dhe duke e cilësuar këtë si Botërorin e tij të dytë të përjetuar nga afër.
Pak e dinë se para angazhimit të tij në Spanjë, Eduard Dervishaj ka kontribuar edhe në futbollin shqiptar. Nga viti 1992 deri në vitin 1996 ai shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa më herët ka qenë edhe trajner i Dinamos së Tiranës.
Karriera e tij është një shembull i rrallë i një profesionisti shqiptar që ka arritur të fitojë besimin e një prej federatave më të suksesshme të futbollit në botë, duke qenë pjesë e momenteve më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar.
Redaksia Geg FM Radio21 korrik 2026

Dua Lipa ka zbuluar se nuk ndjek terapi tradicionale, por konsultohet me një astrologe sa herë që përballet me dilema. Ja çfarë ka thënë artistja dhe pse kjo është zgjedhja e saj personale.

Festivali i Flisë do të mbahet më 1–2 gusht në Kasollet e Zanave, Prapashticë. Organizatorët synojnë të përgatisin flinë më të madhe në botë dhe të aplikojnë për Librin Guinness, duke promovuar Kosovën dhe gastronominë tradicionale shqiptare.
Ludwig Göransson zbulon se kolona zanore e “The Odyssey” të Christopher Nolan është frymëzuar nga iso-polifonia shqiptare dhe tingujt e Jugut.