GEG.FM
Po lidhet…

Edicioni i 13-të i “Prishtina Jazz Festival” ka nisur me kontrast të fortë mes kaosit teknik dhe bukurisë muzikore që e karakterizon këtë ngjarje. Organizimi, sfidat dhe atmosfera kanë krijuar një tablo të veçantë për natën e parë, ku jazzi ka triumfuar pavarësisht pengesave të para.
Amfiteatri i Bibliotekës Universitare në Prishtinë është kthyer në një skenë ndryshe nga çdo vit tjetër. Ndriçimi, transformimi i hapësirës dhe ngjyrat e ngrohta e bënë ambientin shumë më intim. Ndërkohë, vështirësitë me energjinë elektrike rrezikuan nisjen e festivalit, duke shtyrë koncertin e parë për 25 minuta.
“Patëm një problem me rrymën, por e ndreqëm, shyqyr”, u shpreh drejtori i festivalit, jazz-kitaristi Armend Xhaferi, i cili kërkoi falje para publikut.
Nata hapi dyert me duetin mes pianistit Arben Ramadani dhe muzikantit iranian Javid Ardani me instrumentin tradicional “ney”. Tingujt e pianos krijuan një hyrje terapeutike, ndërsa “ney” solli ngjyra të botës persiane.
Performanca ishte një udhëtim i ngadalshëm drejt bashkimit të dy botëve muzikore – jazzit bashkëkohor dhe traditës së lashtë lindore. Ardani tregoi se kombinimi i traditës iraniane me jazz është ideal për të.
“Herën e parë që e dëgjova këtë instrument, ishte fascinim. E dija që duhet ta fusja në veprat e mia”, tha Ramadani para publikut.
Publiku duartrokiti gjatë, ndërsa dyshja u rikthye në skenë për një pjesë të dytë të improvizuar.
Pas pjesëve të para, dueti solli riaranzhimin “Zare”, bazuar në këngën e Tefta Tashkos. Harmonica u ndërthur me pianon duke krijuar një atmosferë të butë, ndërsa improvizimet e Ramdanit dhe Ardanit shpalosën një gërshetim të bukur midis melodive tradicionale shqiptare dhe jazzit.
Në finalen e parë të natës me “Po vijnë krushqit”, u ndje më shumë afërsia midis muzikës shqiptare dhe asaj iraniane. Ardani tregoi se për të, muzika shqipe ishte më e afërt se ajo e Evropës Perëndimore.
Pas qetësisë së improvizimeve, në skenë u ngjit “Driton Bejta Quintet”, me një performancë energjike dhe të mbushur me ritme të gjalla. Hapja me “Rolling” solli dominim të saksofonit dhe kitarës, ndërsa “Funky” e ktheu skenën në atmosferë të pastër groove.
Bejta u shpreh i lumtur që këtë vit u paraqit si udhëheqës i bendit me kompozime të tij.
“Jazzi është demokratik, është i hapur për rryma të reja dhe kombinime të pafundme. Këtë vit doja ta bashkoja jazzin me motive tona”, tha ai.
Gjatë koncertit, bendi solli një nga momentet më interesante të natës: një gërshetim mes bluesit amerikan dhe muzikës tradicionale të Jugut të Shqipërisë. Publiku e priti me shumë duartrokitje.
Në vijim, veprat “Someone like me”, përpunimi i “A del për mu pranvera” dhe pastaj “Hendrixi me shahir” e mbajtën publikun aktiv dhe të entuziazmuar.
Për këtë të fundit, Bejta shpjegoi:
“Nëse energjia e Jimi Hendrix është simbol i rock ‘n roll, tek muzika jonë e gjejmë te shahirët. Kështu lindi ky kombinim.”
Nata përfundoi me veprën “Hometown”, një përshkrim muzikor i zhurmës dhe kaosit të Prishtinës gjatë ditës – të kthyer në harmoni jazz.
Në skenë kishte ulëse të rezervuara për kryeministrin, ministrin e Kulturës dhe kryetarin e Prishtinës, por asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm. Megjithatë, atmosfera nuk e humbi gjallërinë.
Publiku, muzika dhe improvizimi e mbajtën festivalin gjallë – duke dëshmuar se jazzi në Prishtinë është i gjallë, i fortë dhe vazhdon të rritet edhe pas sfidave.
Redaksia Geg FM Radio15 nëntor 2025

Bebe Rexha ka shkruar një kapitull të ri në karrierën e saj muzikore. Kënga e saj më e re, “New Religion”, arriti vendin e parë në The UK’s Biggest Chart Show, duke e vendosur shqiptaro-amerikanen në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Momenti i shpalljes së fituesit u shoqërua me emocione të mëdha, pasi Bebe e priti […]

Më 15 maj, Prishtina pritet të përjetojë një nga netët më të rëndësishme të muzikës elektronike të këtij sezoni. Në AMC Hall, një nga hapësirat më të mëdha për evente në kryeqytet, do të zhvillohet një program që bashkon emra të njohur ndërkombëtarë dhe artistë nga skena rajonale, duke e kthyer qytetin në një pikë […]

Rruga drejt skenës së madhe të Eurovisionit tashmë ka marrë edhe një formë vizuale. Është publikuar videoklipi zyrtar i këngës “Nan”, me të cilën këngëtari shqiptar Alis do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2026. Videoklipi është publikuar në kanalin zyrtar të Eurovision në YouTube dhe vjen me titra në gjuhën angleze, në mënyrë […]