GEG.FM
Po lidhet…

Duket se aventura më e madhe nuk do të zhvillohet mes pemëve të Gërmisë, por nëpër dosje gjyqësore. Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Komunës së Prishtinës dhe ka lënë në fuqi vendimin që anulon lejen mjedisore për ndërtimin e “Parkut të Aventurave” në zemër të parkut.
Sipas vendimit, leja e lëshuar për projektin nuk do të mund të përdoret më, pasi Apeli ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në favor të Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL).
Kjo i jep fund një beteje ligjore që zgjati me vite dhe që kishte ngritur pikëpyetje mbi ndërhyrjet në një nga hapësirat më të mbrojtura natyrore të kryeqytetit.
Me pak fjalë, për momentin fituesit më të mëdhenj duken të jenë pemët, zogjtë dhe qetësia e Gërmisë.
Ndërsa “Parku i Aventurave”? Ai mbetet një aventurë që nuk arriti të kalojë pengesën e fundit: gjykatën.
Redaksia Geg FM Radio9 qershor 2026