GEG.FM
Po lidhet…

Suksesi i sulmuesit norvegjez në Kupën e Botës 2026 ka frymëzuar qindra familje peruane t'u vendosin fëmijëve emrin e tij.
Kur një futbollist arrin të frymëzojë jo vetëm tifozët, por edhe prindërit që sapo janë bërë me fëmijë, atëherë ndikimi i tij shkon shumë përtej fushës së lojës. Pikërisht kjo po ndodh në Peru, ku emri Erling Haaland është shndërruar në një trend të pazakontë pas paraqitjeve spektakolare të sulmuesit norvegjez në Kupën e Botës 2026.
Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Identifikimit dhe Gjendjes Civile të Perusë (Reniec), 468 foshnja janë regjistruar me mbiemrin "Haaland", ndërsa 91 të tjera kanë marrë emrin e plotë "Erling Haaland".
Zëdhënësi i Reniec, Ivan Torres, tha se futbollistët e mëdhenj vazhdojnë të ndikojnë në zgjedhjet e shumë familjeve.
"Yjet e futbollit janë burim frymëzimi dhe shumë prindër zgjedhin emra të njohur e të veçantë për fëmijët e tyre", u shpreh ai.
Rritja e regjistrimeve është vërejtur sidomos pas nisjes së Kupës së Botës, kur Norvegjia po shkruan historinë me kualifikimin e saj të parë në çerekfinale të këtij turneu. Një rol vendimtar në këtë sukses ka pasur vetë Haaland, i cili shënoi dy gola në fitoren ndaj Brazilit dhe është kthyer në një nga figurat më të spikatura të Botërorit.
Ky nuk është fenomeni i parë i këtij lloji në Peru. Të dhënat zyrtare tregojnë se vendi ka prej vitesh një traditë të emërtimit të fëmijëve sipas ikonave të futbollit. Aktualisht, 3.402 persona mbajnë emrin "Messi", ndërsa 292 janë regjistruar si "Lionel Messi". Po ashtu, 1.185 persona quhen "Cristiano Ronaldo", 1.241 mbajnë emrin "Yamal", 238 quhen "Mbappe", ndërsa rekordin e mban "Neymar", me plot 33.809 persona që mbajnë këtë emër.
"Nuk mund t'i ndalojmë njerëzit t'i përdorin këta emra," tha Torres, duke theksuar se zgjedhja u takon familjeve.
Me shtatë gola të shënuar deri tani, Erling Haaland vazhdon të jetë në garë për "Këpucën e Artë" të Kupës së Botës 2026. Ai ndodhet vetëm një gol pas Lionel Messit dhe Kylian Mbappé, të cilët kryesojnë renditjen e golashënuesve. Nëse Norvegjia vazhdon rrugëtimin e saj historik, gjithçka tregon se "Haalandmania" mund të vazhdojë të rritet, jo vetëm në stadiume, por edhe në certifikatat e lindjes.
Redaksia Geg FM Radio13 korrik 2026

Hungaria pezulloi përkohësisht lajmet në mediat publike dhe kërkoi falje për vitet e propagandës, ndërsa qeveria e re nisi reformimin e sistemit mediatik.

Islanda ka kaluar Zvicrën si vendi më i shtrenjtë në Evropë sipas Eurostat, por Zvicra vazhdon të kryesojë për fuqinë blerëse falë pagave të larta.

Kanadaja do të marrë pjesë për herë të parë në Eurovision 2027, sipas Bashkimit Evropian të Transmetuesve dhe transmetuesit publik kanadez.