GEG.FM
Po lidhet…

“DUA” dhe “Shame and Money” do të prezantohen me premierat e tyre rajonale në një nga festivalet më të rëndësishme të Evropës Juglindore.
Kinematografia e Kosovës vazhdon të forcojë praninë e saj në skenën ndërkombëtare. Këtë vit, dy filma kosovarë janë përzgjedhur në garën kryesore të Sarajevo Film Festival, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore, duke sjellë edhe një tjetër moment të rëndësishëm për krijimtarinë shqiptare.
Bëhet fjalë për filmin “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, dhe “Shame and Money”, me skenar dhe regji nga Visar Morina, të cilët do të shfaqen me premierat e tyre rajonale në festivalin që këtë vit zhvillohet nga 15 deri më 22 gusht 2026 në Sarajevë. Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila e ka cilësuar këtë përzgjedhje si një tjetër dëshmi të rritjes së vazhdueshme të filmit kosovar në arenën ndërkombëtare.
“DUA” e vazhdon rrugëtimin e saj festivalor pas premierës botërore në La Semaine de la Critique në Festivalin e Filmit në Cannes. Filmi është një dramë coming-of-age, një zhanër që ndjek procesin e rritjes dhe formimit të identitetit të një personazhi të ri. Ngjarja zhvillohet në Kosovën e viteve ’90 dhe është frymëzuar nga përvojat personale të regjisores Blerta Basholli. Në qendër të rrëfimit është një adoleshente introverte, e cila përpiqet të gjejë vendin e saj në një periudhë të mbushur me pasiguri dhe tensione politike.
Produksioni është realizuar nga Ikonë Studio në Kosovë, në bashkëpunim me partnerë nga Zvicra dhe Franca, ndërsa është mbështetur nga institucione prestigjioze si Qendra Kinematografike e Kosovës, CNC France, Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF dhe Cineforom.
Në të njëjtën garë do të prezantohet edhe “Shame and Money”, projekti më i ri i regjisorit Visar Morina, një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare në Evropë. Filmi është realizuar në bashkëprodhim mes Kosovës, Gjermanisë, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në rolet kryesore interpretojnë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj, ndërsa skenari është shkruar nga Visar Morina dhe Doruntina Basha. Edhe ky projekt është mbështetur nga një rrjet institucionesh evropiane, përfshirë Qendrën Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Fund, Film- und Medienstiftung NRW, Slovenian Film Centre, National Center of Cinematography Albania dhe North Macedonian Film Agency.
Themeluar në vitin 1995, gjatë rrethimit të Sarajevës, Sarajevo Film Festival është shndërruar në festivalin më të madh dhe më me ndikim të filmit në rajon, duke qenë një pikë takimi për autorë, producentë dhe profesionistë të industrisë nga e gjithë Evropa. Për shumë regjisorë të Ballkanit, përzgjedhja në garën kryesore konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme në karrierë.
Prania e njëkohshme e dy filmave kosovarë në konkurrencën kryesore të këtij festivali dëshmon se kinematografia e Kosovës po fiton gjithnjë e më shumë besim dhe vëmendje në skenën ndërkombëtare. Përtej suksesit individual të dy regjisorëve, kjo përzgjedhje përfaqëson edhe një arritje të rëndësishme për filmin shqiptar, duke e bërë Kosovën pjesë të bisedës artistike në një prej festivaleve më prestigjioze të rajonit.
Redaksia Geg FM Radio24 korrik 2026

Programi falas i mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike në Prishtinë ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm. Mbi 500 aplikime janë regjistruar në më pak se 24 orë, ndërsa kursi është planifikuar për 700 fëmijë.
Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë ka korrigjuar pasaktësinë për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik të Kosovës.

Komuna e Gjilanit ndryshon përkohësisht rregullat për muzikën në lokalet e gastronomisë. Lejohet përdorimi i pajisjeve elektro-akustike deri në orën 23:00 dhe 00:00 në fundjavë.