Sunny Hill Festival 2026 hap fazën e parë të biletave: “Believers” tashmë në shitje

Sunny Hill Festival 2026 ka hapur zyrtarisht fazën e parë të biletave, duke nxjerrë në shitje kategorinë tradicionale “Believers”, të dedikuar për fansat që duan të jenë të parët që sigurojnë vendin e tyre në festival.
Këto bileta njihen si vala e parë e festivalit dhe zakonisht ofrojnë çmimin më të favorshëm për të gjithë edicionin, me akses në të gjitha skenat dhe aktivitetet kryesore. Ato u drejtohen pikërisht atyre që i besojnë përvojës së Sunny Hill edhe para se të publikohet lista e artistëve. Ashtu si çdo vit, lineup-i i plotë i festivalit pritet të zbulohet pas përfundimit të kësaj faze, një moment që shpesh shndërrohet në një nga njoftimet më të shumëpritura të sezonit veror në rajon.
Festivali hyn në edicionin e ri pas një viti rekord. Në 2025, Sunny Hill mirëpriti vizitorë nga më shumë se 60 vende të botës, ndërsa ndikimi ekonomik i festivalit për Kosovën u vlerësua rreth 22 milionë euro. Gjatë ditëve të festivalit, kapacitetet e akomodimit në vend arritën pothuajse 99% të rezervimeve, duke treguar ndikimin e madh turistik që kjo ngjarje ka fituar ndër vite.
Rritja e festivalit ka qenë e vazhdueshme. Në disa edicione, zgjerimi ka arritur deri në 30%, duke e shndërruar Sunny Hill në një nga eventet kulturore dhe muzikore më të rëndësishme në rajon. Ky sukses është reflektuar edhe në arenën ndërkombëtare: për tre vite radhazi, festivali është renditur ndër Top 10 festivalet më të mira në Evropë në kategorinë mid-size, sipas Shoqatës Evropiane të Festivaleve të Muzikës me seli në Holandë.
Organizatorët paralajmërojnë se edicioni i vitit 2026 do të jetë edhe më i madh. Plani përfshin më shumë artistë ndërkombëtarë, më shumë skena dhe një program edhe më të pasur, ndërsa audienca globale e festivalit vazhdon të rritet nga viti në vit.
Për disa ditë çdo verë, Prishtina kthehet në një pikë takimi të muzikës, kulturës dhe energjisë rinore, duke tërhequr mijëra vizitorë dhe qindra media nga e gjithë bota. Gjatë viteve, festivali është raportuar nga media prestigjioze si The New York Times, BBC, The Guardian, Vogue dhe Elle, duke e prezantuar Kosovën para një audience globale.
Me nisjen e shitjes së biletave “Believers”, fillon edhe numërimi mbrapsht për Sunny Hill Festival 2026 – një tjetër verë që pritet ta vendosë Prishtinën në qendër të hartës evropiane të festivaleve.