Kurti premton mbi 1 miliard euro për ushtrinë dhe dronë “Made in Kosova”

Kurti premton mbi 1 miliard euro për ushtrinë dhe dronë “Made in Kosova”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili të shtunën u mandata unanimisht nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re, në fjalimin e tij ka paralajmëruar investime të mëdha në fushën e sigurisë.

Ai tha se gjatë katër viteve të ardhshme qeveria e re do të ndajë mbi 1 miliard euro për ushtrinë e Kosovës, duke përfshirë blerjen e armatimit, stërvitjet dhe edukimin ushtarak brenda dhe jashtë vendit.

Kurti paralajmëroi zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova” dhe funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve, si pjesë e industrisë së mbrojtjes.

“Do të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s. Do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës, përfshirë prodhimin e dronëve dhe municioneve”, tha ai.

Një nga projektet e reja është edhe krijimi i Njësisë së përbashkët ushtarake me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Kurti tha se kjo do të forcojë bashkëpunimin mes dy shteteve shqiptare në fushën e mbrojtjes.

Kreu i ekzekutivit shtoi se synimi është të rritet ndjeshëm numri i grave në ushtri:

“Rekrutimi i kadetëve të rinj do të vijojë me ritëm të shtuar. Synojmë që brenda mandatit të ri të kemi 1000 gra e vajza ushtarake.”

Ai foli edhe për Programin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, i cili pritet të zbatohet në të gjithë vendin. Sipas tij, secili rezervist vullnetar do të ketë trajnim adekuat dhe armatim në rast mobilizimi.