Kur algoritmi këndon: Muzika e krijuar nga IA dhe fuqia për të amplifikuar narrativat publike

Një mesazh i dërguar në radio nga një dëgjues me nofkën ledhatuese “Vëllau i Besnikut” u shndërrua në një këngë në stil mariachi brenda vetëm 40 sekondave. Folk meksikan, tekst shqip – i përpunuar në harmoni, ritëm dhe rimë nga Inteligjenca Artificiale, me minimumin e udhëzimeve për kompozim.
Rezultati? Fantastik.
Një këngë argëtuese, e krijuar thjesht për të sjellë pak humor në një mëngjes gri në Gjilan.
Pak ditë pas këtij eksperimenti të realizuar gjatë transmetimit direkt, mësuam për Bora Faira. “Jam e lirë” është kënga debutuese e Borës – një personazh rreth të tridhjetave që “jeton” në Prishtinë, në Dragodan.
Sipas profilit të saj në Instagram, Bora bën një jetë të zakonshme në kryeqytet: viziton monumente historike, ankohet për trafikun e dendur, frekuenton bare dhe pube dhe i pëlqejnë lojërat me enigma.
Deri këtu – një profil krejtësisht normal i një 30-vjeçareje.
Por vëmendjen e tërheq një detaj i vogël në bio:
“Virtual person / AI.”
Pra, një profil i krijuar tërësisht nga Inteligjenca Artificiale, që ka këngë të publikuar në Spotify (mbi 20 mijë dëgjime), videoklip në YouTube (rreth 39 mijë shikime) dhe një Instagram që simulon një jetë të zakonshme në Prishtinë.
Krijuesit e këtij personazhi virtual qëndrojnë jashtë syrit të publikut. Ata ekspozojnë produktin përmes Borës, e cila tashmë ka krijuar një identitet të sajin – ndonëse virtual.
Deri në këtë pikë, gjithçka mund të duket si një kuriozitet teknologjik apo një formë e re argëtimi.
Por nëse kjo është ana e lehtë e Inteligjencës Artificiale, ekziston edhe një dimension tjetër – shumë më serioz.
Kur muzika bëhet amplifikues i narrativave
Çfarë ndodh kur muzika e krijuar nga Inteligjenca Artificiale përdoret për të amplifikuar narrativat politike, polarizimin apo gjuhën e urrejtjes?
Në epokën e rrjeteve sociale, muzika mund të shndërrohet në një nga mënyrat më të fuqishme për të përhapur një ide apo një qëndrim. Jo domosdoshmërisht përmes fakteve – por përmes emocioneve.
Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e saj.
Së pari, muzika është thellësisht emocionale. Një mesazh i lidhur me ndjenja si zemërimi, frika apo krenaria përthithet më shpejt dhe më thellë se një argument racional.
Së dyti, refreni mbetet gjatë në kujtesë. Një slogan i kthyer në refren mund të jetojë shumë më gjatë në mendjen e publikut sesa një deklaratë politike apo një postim në rrjete sociale.
Dhe së treti, algoritmet e platformave favorizojnë përmbajtjen e përsëritshme dhe të kapshme. Një këngë e shkurtër, me ritëm të fortë dhe një mesazh të qartë ka potencial shumë më të madh për t’u shpërndarë me shpejtësi në TikTok, Spotify apo Instagram.
Në këtë mënyrë, një narrativë – qoftë politike, ideologjike apo identitare – mund të marrë formën e një këngë dhe të qarkullojë në mënyrë virale në internet.
Në këtë kontekst, Inteligjenca Artificiale nuk është më vetëm një mjet krijues.
Ajo mund të kthehet edhe në një mjet amplifikimi, që e shndërron një ide apo një mesazh në përmbajtje muzikore të shpërndarë në masë.
Kur algoritmi hyn në debatet politike
Këto elemente u panë qartë në rastin global të Charlie Kirk, aktivistit konservator amerikan që u vra nga një snajper gjatë një debati në Utah Valley University në shtator 2025.
Kirk ishte një figurë shumë polarizuese në politikën amerikane. Ai kishte qëndrime të forta kundër abortit, komunitetit LGBTQ+, programeve të diversitetit dhe ishte një zë i rëndësishëm i lëvizjes MAGA. Përkrahësit e shihnin si mbrojtës të vlerave konservatore, ndërsa kritikët si figurë përçarëse.
Vetëm pak ditë pas vrasjes së tij u publikua kënga “We Are Charlie Kirk”, e krijuar tërësisht nga Inteligjenca Artificiale dhe e kredituar në emër të artistit Spalexma.
Kënga u përfshi në albumin Charlie Kirk Forever Alive dhe kishte një ton dramatik me elemente fetare, duke e paraqitur Kirk si një figurë martire që “jeton përmes mbështetësve”.
Kënga u bë virale në TikTok dhe Spotify, u përdor në dhjetëra mijëra video dhe arriti në playlistën Viral 50 Global. Platforma Deezer e identifikoi më pas si përmbajtje të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.
Popullariteti i saj u ndërtua në disa mënyra:
• si nderim emocional nga përkrahësit
• si ironi dhe satirë nga kritikët
• si meme nga përdoruesit e TikTok-ut
Në këtë rast, Inteligjenca Artificiale ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën se si u ndërtua narrativi publik rreth figurës së tij.
Një debat që po zhvillohet edhe në Evropë
Rreziku bëhet edhe më i madh kur përmbajtja lidhet me kauza politike dhe ideologjike.
Në Evropë, një tjetër rast viral ishte kënga “Wij zeggen nee, nee, nee, tegen een AZC” – që në shqip përkthehet: “Ne themi jo kundër një qendre azili.”
E publikuar në tetor 2025, me vokale dhe prodhim të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, kënga kishte stil hardcore, ritëm të fortë dhe një refren të përsëritur – elemente që e bënin të lehtë për t’u memorizuar dhe shpërndarë.
Ajo u rendit në Dutch Single Top 100 dhe arriti pozita të larta në Spotify Netherlands, duke nxitur debat të madh publik.
Si reagim, në rrjet u promovua edhe kënga “Dit Land Is Van Iedereen” (“Ky vend është i të gjithëve”) nga Sophie Straat, me mesazh përfshirjeje dhe solidariteti.
Në këto raste, muzika nuk është më thjesht argëtim.
Ajo mund të bëhet:
• mjet mobilizimi
• mjet polarizimi
• dhe potencialisht – mjet manipulimi
Industria muzikore përballë valës së IA-së
Fenomeni nuk ndalet vetëm te rastet individuale.
Sot, muzika e krijuar nga Inteligjenca Artificiale po rritet me ritëm eksponencial. Sipas platformës Deezer, rreth 50 mijë këngë të gjeneruara plotësisht me IA ngarkohen çdo ditë, duke përbërë afro një të tretën e gjithë përmbajtjes së re muzikore që publikohet në platformë.
Një tjetër fakt edhe më shqetësues: sipas një studimi të realizuar nga Deezer në bashkëpunim me Ipsos, 97% e dëgjuesve nuk arrijnë ta dallojnë një këngë të krijuar nga IA nga një këngë të krijuar nga njeriu.
Kur publiku nuk arrin të dallojë realen nga sintetika, kufiri mes artit dhe manipulimit fillon të zbehet.
Një vëzhgim i vogël mbi këtë fenomen është bërë edhe nga Geg FM Radio, përmes një mini-ankete me dëgjuesit gjatë transmetimit live të emisionit të mëngjesit “ZGJU”.
Gjatë emisionit u transmetua kënga “Breaking Rust – Walk My Walk”, pa u treguar paraprakisht nëse ishte krijuar nga një artist apo nga Inteligjenca Artificiale. Pas transmetimit, dëgjuesit u pyetën: AI apo Njeri?
Në anketë, përmes mesazheve, morën pjesë 20 dëgjues.
12 prej tyre u përgjigjën se besonin që kënga ishte kënduar nga një artist real, ndërsa 8 dëgjues menduan se ishte krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Interesant është fakti se tre nga ata që e identifikuan këngën si IA treguan se një javë më parë kishin besuar se bëhej fjalë për një këngë të interpretuar nga një njeri, por më pas kishin zbuluar se ajo ishte gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.
Spotify ka raportuar se ka hequr mbi 75 milionë këngë spam të gjeneruara me IA, të publikuara kryesisht për të manipuluar sistemin e pagesave dhe algoritmet e rekomandimit.
Platformat po përpiqen të reagojnë me sisteme zbulimi të përmbajtjes sintetike, etiketime për materialet e krijuara nga IA dhe kufizime për profilet që imitojnë artistë realë.
Megjithatë, muzika mbetet një zonë gri ligjore.
Sepse ndryshe nga video apo imazhi, audioja është më e vështirë për t’u verifikuar.
Dhe në botën digjitale, algoritmi është gjithmonë më i shpejtë se rregullatori.
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
Ky artikull është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Geg FM Radio dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
