16 dronë dhe 2 automjete për Policinë e Kosovës – donacioni britanik prej 153 mijë eurosh forcon sigurinë kufitare

16 dronë dhe 2 automjete për Policinë e Kosovës – donacioni britanik prej 153 mijë eurosh forcon sigurinë kufitare

Policia e Kosovës ka marrë një donacion të rëndësishëm nga Ambasada Britanike në Kosovë, i cili përfshin dy automjete dhe 16 dronë të pajisur me teknologji përcjellëse. Vlera totale e këtij donacioni arrin në 153 mijë euro dhe synon të rrisë kapacitetet operacionale të njësive policore, veçanërisht në menaxhimin e sigurisë dhe monitorimin në terren.

Sipas Policisë së Kosovës, pajisjet e reja do të përdoren për identifikimin, gjurmimin dhe monitorimin e automjeteve dhe personave të dyshimtë, duke ndihmuar në reagim më të shpejtë dhe më efikas në situata të ndryshme operative.

Marrëveshja për pranimin e donacionit u nënshkrua nga drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare, Fehmi Xhata, dhe përfaqësuesja e Ambasadës Britanike në Kosovë, Emma Huntley, në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy institucioneve.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se pajisjet e specializuara pritet të luajnë rol të rëndësishëm në profesionalizimin e mëtejshëm të forcës policore, veçanërisht në njësitë kufitare që merren me parandalimin e krimit ndërkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm.