“Hannah Montana” rikthehet për 20-vjetor – traileri i ri ndez nostalgjinë e fansave

“Hannah Montana” rikthehet për 20-vjetor – traileri i ri ndez nostalgjinë e fansave

Njëzet vjet më parë, një vajzë nga Malibu po jetonte një jetë të dyfishtë: ditën ishte Miley Stewart, ndërsa natën shndërrohej në yllin e popit Hannah Montana. Seriali që u bë fenomen global dhe shënoi një brez të tërë fansash tani po rikthehet për një moment nostalgjik.

Disney ka publikuar trailerin e një episodi special që shënon 20-vjetorin e “Hannah Montana”, dhe lajmi më i madh është rikthimi i vetë protagonistas, Miley Cyrus. Episodi do të transmetohet më 24 mars, pikërisht dy dekada pas premierës së parë në Disney Channel.

Sipas Disney, speciali do të sjellë pamje të papublikuara më parë, rikrijimin e skenografisë ikonike të serialit dhe disa surpriza muzikore që rikthejnë atmosferën e viteve kur seriali dominonte ekranet. Programi është realizuar para një publiku në studio dhe përfshin edhe një intervistë me Miley Cyrus, të moderuar nga Alex Cooper.

“Hannah Montana”, i cili u transmetua nga viti 2006 deri në 2011, zgjati katër sezone dhe mori katër nominime Emmy për programin më të mirë për fëmijë. Suksesi i tij çoi edhe në filmin “Hannah Montana: The Movie” në vitin 2009, ndërsa në serial morën pjesë edhe emra të njohur si Dolly Parton, Selena Gomez, Jonas Brothers dhe Dwayne Johnson.

Tani, pak ditë para publikimit të episodit special, traileri i ri po rikthen nostalgjinë e një epoke kur paruka bionde dhe këngët e Hannah Montana-s ishin pjesë e përditshme e kulturës pop.