“Gjeniu që nuk arriti asgjë të madhe në jetë” – historia e jashtëzakonshme e William James Sidis

Në fund të shekullit XIX, në 1898 në New York, lindi një fëmijë që shumë shpejt do të konsiderohej një nga mendjet më të jashtëzakonshme të historisë. William James Sidis ishte djali i emigrantëve hebrenj nga Ukraina. Babai i tij, Boris Sidis, ishte psikolog dhe profesor në Harvard, i cili besonte se inteligjenca e jashtëzakonshme mund të zhvillohej përmes edukimit të hershëm. Që në vitet e para të jetës, Sidis u rrit në një ambient ku mësimi ishte pjesë e përditshme.
Shenjat e talentit u shfaqën shumë herët. Në moshën 18 muajsh ai lexonte gazetat, ndërsa në moshën 8 vjeçare fliste disa gjuhë, përfshirë latinishten, greqishten dhe frëngjishten. Nw moshwn 8 vjecare madje krijoi edhe një gjuhë të tijën artificiale të quajtur “Vendergood”, me gramatikë, rregulla dhe fjalor të vetin. Inteligjenca e tij u bë shpejt legjendë dhe shumë studiues e vlerësuan IQ-në e tij ndër më të lartat e regjistruara ndonjëherë. Disa studiues e vlerësojnë me një IQ 250–300.
Në vitin 1909, vetëm 11 vjeç, Sidis u pranua në Harvard University, duke u bërë një nga studentët më të rinj në historinë e këtij universiteti prestigjioz. Aty ai mbajti edhe një ligjëratë për dimensionin e katërt dhe matematikën e avancuar, duke mahnitur profesorët dhe studentët. Mediat amerikane e shpallën menjëherë “gjeni”, ndërsa publiku e ndiqte jetën e tij me kureshtje.
Por fama dhe presioni i madh filluan të bëhen barrë. Në moshën 16 vjeçare, Sidis filloi të largohej nga jeta akademike dhe nga pritjet e familjes. Ai u përfshi në aktivitete politike dhe në 1919 u arrestua gjatë një proteste socialiste në Boston. Kjo ngjarje shënoi një kthesë në jetën e tij dhe e largoi edhe më shumë nga karriera akademike që të gjithë prisnin prej tij.
Në vitet që pasuan, Sidis zgjodhi një jetë të qetë dhe të tërhequr nga publiku. Ai punoi në punë të zakonshme administrative, shpesh duke ndërruar qytete për të shmangur vëmendjen e mediave. Megjithëse vazhdoi të shkruante libra dhe ese mbi histori, matematikë dhe transport urban, shumicën e tyre i publikoi me pseudonime.
Jeta e tij përfundoi në mënyrë të qetë dhe pothuajse të panjohur për publikun. Në 1944, në moshën 46 vjeçare, William James Sidis vdiq në Boston nga një hemorragji cerebrale. Ai la pas një histori që vazhdon të diskutohet edhe sot: historia e një mendjeje të jashtëzakonshme, e cila kishte potencial të pakufishëm, por që zgjodhi të jetonte larg famës dhe pritjeve të botës.
Për këtë arsye, shumë biografë e kanë quajtur Sidis “gjeniu që nuk arriti asgjë të madhe në jetë”, edhe pse vetë jeta e tij mbetet një nga tregimet më intriguese për inteligjencën, presionin shoqëror dhe zgjedhjet personale.
