Nxënës shqiptarë krijojnë pajisje inteligente për personat me shikim të kufizuar

Nxënës shqiptarë krijojnë pajisje inteligente për personat me shikim të kufizuar

Tre gjimnazistë nga ShqipëriaLaura Memoçi, Ledjan Bitri dhe Luis Salla nga gjimnazi “Ibrahim Hasmema” në Mullet — kanë ndërtuar një prototip pajisjeje që synon të ndihmojë personat me probleme të theksuara të shikimit të identifikojnë pengesat dhe të lëvizin më të sigurt në ambientet e përditshme.

Frymëzimi për këtë projekt lindi gjatë një festivali shkollor ku çdo shkollë duhej të sillte zgjidhje inovative me bazë teknologjike. Ajo që nisi si një ide konkursi u bë një nevojë reale kur ata u takuan me një mik të përbashkët me vështirësi të theksuara në shikim. Kjo përvojë personale i nxiti të përdorin teknologjinë për krijimin e një pajisjeje që ka ndikim praktik.

Pajisja, e projektuar për t’u montuar mbi shkopin tradicional të të verbërve, përdor sensorë distance për të lexuar objektet përpara dhe sinjalizon përdoruesin për pengesat përmes sinjaleve zanore. Qëllimi i nxënësve është të bëjnë lëvizjen më të sigurt dhe të pavarur për njerëzit me shikim të kufizuar.

Për ndërtimin e prototipit janë përdorur komponentë si Arduino Uno, ESP32, module zëri dhe bateri të rikarikueshme — disa prej të cilëve janë porositur nga Gjermania për të arritur standardet që kërkon projekti. Një iniciativë që tregon se edhe ide të vogla teknologjike mund të kenë një ndikim të madh në komunitet.