“Dy klube, një krenari: Derbi shqiptar i Evropës ndez sonte stadiumin “Fadil Vokrri”

Sonte, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të kthehet në një arenë të zjarrtë, ku dy klube shqiptare historike do të përplasen në një duel që shkon përtej futbollit – Drita e Gjilanit përballet me Shkëndijën e Tetovës në Ligën e Konferencës së UEFA-s.
Një sfidë që bashkon emocionin, krenarinë dhe ambicien për të shkruar histori në garat ndërkombëtare.
Kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është i motivuar para ndeshjes:
“Falë Zotit dhe ekipit mjekësor, arritëm ta kompletojmë skuadrën. Tusha tani është gati, dhe të gjithë jemi të vendosur të japim maksimumin. Ndeshja me Shkëndijën është një sfidë e vështirë, jo vetëm për kualitetin e tyre, por edhe për presionin e një derbi shqiptar në prag të 28 Nëntorit, para tifozëve tanë. Do të jetë një mbrëmje që do të mbahet mend.”
Kapiteni Rron Broja shfaq optimizëm dhe besim te skuadra:
“Shkëndija është një skuadër shumë cilësore, por edhe ne kemi lojtarë të talentuar dhe të përgatitur. Synimi ynë është fitorja dhe të marrim tre pikët, duke krijuar një natë historike për Dritën. Për tifozët tanë, kjo do të jetë një mbrëmje e paharrueshme.”
Ky derbi shqiptar ka vlerë të madhe në tregun futbollistik sipas Transfermarkt: Drita ka një vlerë prej 6,58 milionë euro, ndërsa Shkëndija arrin 7,1 milionë euro. Ndër lojtarët më të vlefshëm të Dritës spikat mesfushori Albert Dabiqaj, me një vlerë prej 600 mijë euro.
Për tifozët: Mbi 10 mijë bileta janë shitur deri tani, duke garantuar atmosferë elektrizuese nga tribunat deri te fusha. Një ditë para festës së Flamurit, dy skuadra shqiptare përplasen në skenën ndërkombëtare, duke ofruar spektakël dhe emocione nga minuta e parë deri në fund.
Ndeshja fillon sonte, ora 21:00 në Stadiumin “Fadil Vokrri” – një duel që askush nuk do ta humbasë!