Kosova përballet me Suedinë në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja e Kosovës rikthehet sonte në fushë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” do të sfidojë Suedinë.
Dardanët e Franco Fodës vijnë në këtë ndeshje pas disfatës së rëndë ndaj Zvicrës (4-0), por atmosfera brenda ekipit mbetet pozitive dhe me besim për një paraqitje më ndryshe para tifozëve vendas.
Kosova sërish do të jetë e hendikepuar, pasi nuk do të ketë në dispozicion tre nga lojtarët kryesorë: Edon Zhegrova, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani, ky i fundit i lënduar në përballjen e fundit.
Trajneri gjerman Franco Foda, në konferencën e fundit për media, ka pranuar epërsinë e skandinavëve, por është shprehur i bindur se Kosova do të reagojë pas humbjes në Zvicër:
“Kemi analizuar gabimet dhe jemi të vetëdijshëm për forcën e Zvicrës e Suedisë. Por në shtëpi duhet të luajmë ndryshe. Do të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur tifozët dhe jam i bindur se sonte do të tregojmë një paraqitje më të mirë”, tha Foda.
Sfidën Kosova – Suedia e pret një atmosferë e zjarrtë në Prishtinë. Ndeshja nis në ora 20:45.