Majorja Vjollca Hoti nga Policia e Kosovës diplomon në Akademinë e FBI-së në SHBA

Majorja Vjollca Hoti nga Policia e Kosovës diplomon në Akademinë e FBI-së në SHBA

Nga Kosova në një nga institucionet më prestigjioze të sigurisë në botë. Majorja Vjollca Hoti nga Policia e Kosovës ka përfunduar me sukses Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico, SHBA, duke shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e saj dhe në përfaqësimin profesional të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Akademia e FBI-së konsiderohet një nga programet më elitare të trajnimit për zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit, ku përzgjidhen pjesëmarrës nga institucione policore të vendeve të ndryshme të botës. Gjatë këtij programi intensiv trajtohen tema kyçe si lidershipi modern policor, menaxhimi strategjik, teknikat bashkëkohore hetimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër krimit.

Për majoren Hoti, kjo diplomim është një kapitull i ri në një karrierë të gjatë dhe të përkushtuar. Me më shumë se 25 vjet përvojë në Policinë e Kosovës, ajo ka shërbyer në një sërë pozicionesh të rëndësishme operacionale, duke udhëhequr njësi policore dhe duke menaxhuar situata sfiduese në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

Përvoja dhe njohuritë e fituara në këtë akademi pritet të sjellin standarde dhe praktika të avancuara të policimit, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të lidershipit brenda Policisë së Kosovës.

Ky sukses njëkohësisht reflekton edhe bashkëpunimin e ngushtë ndërkombëtar në fushën e sigurisë. Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, programit DOJ-ICITAP dhe zyrës së FBI-së në Sofje, për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen profesionale dhe trajnimet e avancuara të zyrtarëve policorë.

Diplomimi i majorës Hoti në Akademinë e FBI-së shënon jo vetëm një sukses personal, por edhe një moment krenarie për institucionet e sigurisë së Kosovës.