Nga ideja në terren: Gjilani fillon zbatimin e projekteve të votuara nga banorët

Nga ideja në terren: Gjilani fillon zbatimin e projekteve të votuara nga banorët

Komuna e Gjilanit ka nisur zbatimin e projekteve që kanë dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve, një model që u jep banorëve mundësinë të vendosin vetë për investimet në lagjet e tyre. Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Kushtrim Ibrahimi, së bashku me stafin e tij, ka zhvilluar vizita në disa zona të qytetit për të nisur nga afër procedurat për realizimin e projekteve të votuara nga komuniteti.

Gjatë ditës, ekipet komunale kanë qëndruar në terren në Lagjen e Tetë, në Rrugën e Prishtinës, në Lagjen e Zabelit, në Livadhet e Arapit si dhe në fshatin Livoq i Ulët – në Lagjen e Muhaxherëve. Në këto vizita janë takuar banorë dhe drejtues të shkollave, me të cilët gjatë vitit të kaluar janë mbajtur takime në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.

Sipas Ibrahimit, në ato takime qytetarët patën mundësi të propozojnë dhe të votojnë projektet që dëshirojnë të realizohen në lagjet e tyre. Ai tha se është i kënaqur që këtë vit po fillon implementimi i disa prej ideve që dolën drejtpërdrejt nga komuniteti.

Ndër projektet që pritet të realizohen janë kënde lojërash për fëmijë, parqe dhe parkingje pranë shkollave. Fillimisht do të përgatiten projektet teknike dhe më pas do të vazhdohet me procedurat e nevojshme deri në realizimin e tyre, me synimin për të krijuar lagje më funksionale dhe kushte më të mira për qytetarët.