Për 890 euro borxh: Gjykata austriake sekuestron një avion të Ryanair

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Austri, ku një avion i kompanisë ajrore Ryanair është sekuestruar me urdhër të gjykatës për shkak të një borxhi prej vetëm 890 eurosh ndaj një pasagjereje. Rasti, i raportuar nga televizioni publik austriak ORF, ka tërhequr vëmendje të madhe në media për mënyrën se si u zbatua vendimi gjyqësor.
Gjithçka nisi në korrik të vitit 2024, kur një grua planifikoi të udhëtonte drejt Palma de Mallorca me dy shoqërues. Fluturimi i saj u vonua më shumë se 13 orë dhe, pas pritjes së gjatë në aeroport, ajo vendosi të blejë një biletë tjetër me shpenzimet e saj për të arritur në destinacion.
Pas udhëtimit, pasagjerja kërkoi nga kompania rimbursimin e kostove shtesë – përfshirë biletën e re dhe shpenzime të tjera – në total 890 euro. Megjithatë, sipas avokatit të saj, Ryanair nuk e pagoi shumën, duke bërë që çështja të përfundojë në gjykatë.
Kur vendimi gjyqësor u zbatua në aeroportin e Linzit, përmbaruesi kërkoi pagesë të menjëhershme nga piloti. Meqë kompania nuk pranon para në dorë, pagesa nuk u realizua dhe si rezultat u vendos sekuestrimi i avionit, duke i vendosur atij një etiketë zyrtare konfiskimi. Nëse kompania nuk paguan brenda afatit të caktuar, avioni mund të dalë edhe në ankand për të shlyer borxhin.