“Diella” triumfon në Dubai: Ministrja e parë me inteligjencë artificiale merr çmim ndërkombëtar

“Diella” triumfon në Dubai: Ministrja e parë me inteligjencë artificiale merr çmim ndërkombëtar

Ministrja e parë e krijuar me inteligjencë artificiale në botë, “Diella”, është vlerësuar me çmimin “Future Fit Seal – Global Edition Award” gjatë Samitit të Qeverive Botërore në Dubai. Ky çmim e nderon për modelin inovativ të qeverisjes digjitale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike, duke rritur transparencën dhe efikasitetin për qytetarët.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila e përshkroi këtë vlerësim si një njohje ndërkombëtare për Shqipërinë dhe një hap përpara drejt modernizimit të administratës publike përmes teknologjisë.

Shqipëria u bë vendi i parë në botë me një ministre të bazuar në Inteligjencë Artificiale në mandatin e ri qeverisës, “Rama 4”. “Diella” është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë si një vizion që ofron shërbime publike më të shpejta, gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme për qytetarët.

Ky sukses tregon se Shqipëria po ndërton një qeverisje të orientuar drejt teknologjisë dhe inovacionit, duke vendosur shembullin për vendet e tjera që duan të përdorin inteligjencën artificiale për shërbime publike më efikase.