Letërsia në fokus: “Enciklopedia Imagjinare” nga Bajram Kosumi promovohet në Kamenicë

Letërsia në fokus: “Enciklopedia Imagjinare” nga Bajram Kosumi promovohet në Kamenicë

Në prag të festave kombëtare, më 26 nëntor, Biblioteka e Qytetit në Kamenicë ishte nikoqire e promovimit të librit më të ri të autorit dhe profesor Bajram Kosumi, titulluar “Enciklopedia imagjinare”.

Ky event kulturor mblodhi personalitete të rëndësishme të jetës kulturore dhe institucionale të qytetit të bukur të Kamenicës.

Në promovim morën pjesë Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, Drejtori i Arsimit Afrim Dervishi, autori Bajram Kosumi, si dhe studiues dhe shkrimtarë të njohur si Nexhat Rexha, Merxhan Avdyli e Mehmetali Rexhepi.

Kryetari Rahimaj përgëzoi autorin për botimin e ri dhe theksoi rëndësinë e tij për literaturën shqipe:

“Begatia jonë në këtë festë është promovimi i librit të profesorit Bajram Kosumi, një vepër që tashmë ka vendin e vet të rëndësishëm në shtëpinë e letërsisë sonë, dhe do të ndikojë edhe në brezat që vijnë.”

Nga ana e tij, profesori Kosumi shprehu mirënjohje për pjesëmarrësit dhe foli për rolin e poezisë dhe letërsisë në shoqëri:

“Shpesh më thonë: ‘Bëni fabrika, sepse me to bëhet shteti’. Por poezia bën shpirtin e njeriut, që mban shtetin. Pa letërsi, shpirti ynë zbehet. Çdo herë që e pyes veten ‘a ia vlen për letërsi?’, përgjigja është po, sepse letërsia na shpëton nga pengesat dhe vështirësitë e jetës.”

Promovimi përfshiu edhe kumtesa nga studiuesit Nexhat Rexha, Merxhan Avdyli dhe Mehmetali Rexhepi, të cilët diskutuan mbi stilin, mesazhet dhe rëndësinë e librit në kontekstin e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Ngjarja u përmbyll me diskutime dhe urime për autorin, ndërsa “Enciklopedia imagjinare” u vlerësua si një shtesë e çmuar për letërsinë shqiptare bashkëkohore.