Grammy 2026: Emocione, surpriza dhe përballje të mëdha – ja kush udhëheq nominimet!

Sezoni i çmimeve Grammy ka nisur zyrtarisht dhe emocionet në botën e muzikës janë në kulm. Mëngjesi i shpalljes së nominimeve për Grammy 2026 solli shumë surpriza, rikthime të mëdha dhe disa përballje që pritet të ndezin skenën e Los Angeles-it në fillim të vitit të ardhshëm.
Emra si Chappell Roan, Doechii, Sabrina Carpenter, Mumford & Sons dhe Karol G u bashkuan për të prezantuar listën zyrtare të nominimeve, përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në faqen zyrtare të Grammy-ve dhe kanalin e tyre në YouTube. Spektakli sapo ka filluar, dhe publiku tashmë po zgjedh anën e tij në garën më të ndjekur të muzikës botërore.
Këtë vit, Kendrick Lamar prin me plot nëntë nominime, duke përforcuar reputacionin e tij si një nga zërat më të fuqishëm të hip-hop-it bashkëkohor. Menjëherë pas tij, Bad Bunny bën histori duke u bërë artisti i parë në gjuhën spanjolle i nominuar në tri kategori kryesore – një dëshmi e ndikimit të muzikës latine në skenën globale.
Në anën tjetër, Sabrina Carpenter, Lady Gaga dhe Justin Bieber do të përballen kokë më kokë në disa prej kategorive më të mëdha, përfshirë “Album of the Year”. Me albumet Man’s Best Friend, Mayhem dhe Swag, këta tre artistë përfaqësojnë energjinë e re dhe traditën e yjeve të mëdhenj në muzikën pop.
Kategoria “Album of the Year” këtë vit është më e larmishme se kurrë. Përveç rivalëve të përmendur, listën e plotë e plotësojnë edhe Bad Bunny me DeBÍ TiRAR MáS FOToS, Clipse me Let God Sort Em Out, Leon Thomas me Mutt dhe Tyler, the Creator me Chromakopia. Një garë që premtom të jetë më shumë se thjesht muzikë – një përplasje stilesh, kulturash dhe epokash.
Ceremonia e madhe e ndarjes së çmimeve Grammy do të mbahet më 1 shkurt 2026, në Crypto.com Arena të Los Angeles-it, ku muzika do të shndërrohet në histori dhe rivalitetet e sotme do të kurorëzohen me trofetë e artë. Deri atëherë, fansat kanë vetëm një detyrë: të zgjedhin kampionin e tyre dhe të përgatisin listën e dëgjimeve për “natën më të madhe të muzikës”.