Apple Music me rregulla të reja: çdo këngë e krijuar me AI duhet të etiketohet

Platforma e njohur e transmetimit muzikor Apple Music ka njoftuar një hap të ri drejt transparencës në industrinë muzikore, duke vendosur rregulla të reja për përmbajtjen e krijuar me inteligjencë artificiale.
Sipas njoftimit të fundit, çdo material që publikohet në platformë duhet të tregojë qartë nëse gjatë krijimit të tij është përdorur inteligjenca artificiale (AI). Kjo kërkesë do të zbatohet për label-et muzikore dhe distributorët që ngarkojnë këngë në platformë, të cilët tani duhet të deklarojnë përdorimin e AI përmes etiketimeve të veçanta të quajtura “Transparency Tags”.
Këto etiketa do të informojnë publikun nëse inteligjenca artificiale është përdorur në ndonjë pjesë të procesit krijues, duke përfshirë kompozimin e muzikës, regjistrimin e vokalit, prodhimin e këngës, krijimin e artwork-ut të albumit apo edhe realizimin e videoklipit muzikor. Qëllimi kryesor i këtij vendimi është të rritet transparenca dhe të bëhet më e qartë për dëgjuesit se si është krijuar një projekt muzikor.
Vendimi i Apple Music vjen në një moment kur përdorimi i inteligjencës artificiale në muzikë po rritet me ritme shumë të shpejta. Platforma franceze e streaming-ut Deezer ka raportuar se rreth 60 mijë këngë të krijuara plotësisht nga AI ngarkohen çdo ditë në shërbimin e saj, një shifër që tregon për përhapjen e shpejtë të këtij fenomeni në industrinë globale të muzikës.
Në të njëjtën kohë, edhe platforma të tjera të mëdha po përpiqen të gjejnë mënyra për ta menaxhuar këtë zhvillim. Shërbime si Spotify dhe Qobuz po zhvillojnë sisteme për identifikimin e përmbajtjes së krijuar me AI, ndërsa platforma Bandcamp ka vendosur kufizime për publikimin e muzikës që është gjeneruar plotësisht nga algoritmet.
Ekspertët e industrisë vlerësojnë se vendimi i Apple Music është një hap i rëndësishëm për të vendosur rregulla të qarta në një periudhë kur teknologjia po ndryshon mënyrën se si krijohet dhe shpërndahet muzika. Ndërsa inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme në procesin kreativ, transparenca për mënyrën e krijimit të një kënge po shihet si një element thelbësor për të ruajtur besimin e publikut dhe integritetin artistik.