Bebja e Nirvana humb betejën ligjore: Gjykata mbron kopertinën legjendare të Nirvanas

Në vitin 1991, një fotografi e thjeshtë e një foshnjeje të katër muajsh duke notuar nën ujë do të bëhej ikonë e rock-ut botëror.
Ajo foshnjë ishte Spencer Elden, dhe fotografia u përdor si kopertina e albumit legjendar të grupit Nirvana, Nevermind. Por, pas gati 30 vitesh, historia e këtij imazhi shndërrohet në një betejë ligjore që sapo ka përfunduar.
Në vitin 2021, Spencer Elden, tashmë një burrë, paditi grupin dhe fotografin Kirk Weddle, duke pretenduar se fotografia e tij si foshnjë ishte “shfrytëzim seksual komercial” dhe se identiteti i tij ishte përgjithmonë i lidhur me këtë imazh që u shpërnda dhe u shit në të gjithë botën. Elden tha se kishte vuajtur pasojat e këtij përdorimi dhe kërkonte dëmshpërblim.
Çështja kaloi nëpër disa nivele gjyqësore. Fillimisht, në vitin 2022, gjykatësi Fernando Olguin e rrëzoi padinë, duke argumentuar se Elden e kishte paraqitur çështjen jashtë afatit 10-vjeçar të parashikuar për paditë civile. Gjykata e apelit e lejoi megjithatë Elden të ringrejë çështjen, duke i dhënë një mundësi tjetër për të kërkuar drejtësi.
Por në vendimin përfundimtar, gjykata vendosi në favor të grupit Nirvana dhe fotografit. Gjykatësi Olguin shpjegoi se fotografia nuk mund të konsiderohej si vepër me përmbajtje seksuale. Ai e krahasoi imazhin me një fotografi familjare të një fëmije duke bërë banjë, duke theksuar se “as poza, as fokusi, as konteksti i përgjithshëm nuk tregojnë pornografi të miturish.”
Gjykata mori parasysh disa faktorë të tjerë: prania e prindërve të Elden në setin fotografik, miqësinë e tyre me fotografit, dhe faktin që Elden më parë kishte përfituar financiarisht nga përdorimi i imazhit në kopertinë.
Në reagimin e tyre për Rolling Stone, avokatët e Nirvana u shprehën: “Ne jemi të lumtur që gjykata i ka dhënë fund këtij rasti të pamerituar dhe i liroi klientët tanë artistë nga stigma e akuzave të rreme.” Megjithatë, ekipi ligjor i Elden tha se nuk janë dakord me vendimin dhe planifikojnë ta apelojnë atë.
Kështu, historia e “bebes” së Nirvana, një imazh që ka mbetur simbol i një epoke të muzikës grunge, vazhdon të jetë e diskutueshme – jo për muzikën, por për ligjin dhe interpretimin e artit.