Arbër Ismajli viziton “Eksimor Group”: shembull frymëzimi për Gjilanin

Në kuadër të takimeve të tij me bizneset shembull në Komunën e Gjilanit, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Komunës, Arbër Ismajli, së bashku me kandidatët për këshilltar komunal, ka vizituar kompaninë “Eksimor Group” në Malishevë, një prej bizneseve më të suksesshme në rajon.
Gjatë këtij takimi, Ismajli diskutoi me pronarët e kompanisë për zhvillimin e bizneseve lokale, sfidat dhe përparësitë që lidhen me rritjen e ekonomisë së vendit.
“Eksimor Group” është një nga kompanitë më të mëdha në zonë, me mbi 300 të punësuar dhe fituese e titullit Eksportuesi i Vitit 2024.
Në postimin e tij në Facebook, kandidati Ismajli ka shkruar:
“Super takim me një ekip jashtëzakonisht fantastik, me mbi 300 të punësuar dhe eksportuesi i vitit 2024. Në vazhdën e mbështetjes së madhe nga qytetarët dhe bizneset tona, bashkë me kandidatin tonë për Asamble Komunale, Latif Maliqin, vizituam kompaninë ‘Eksimor Group’ në Malishevë, një biznes që me punë, përkushtim dhe vizion të qartë ka arritur të ndërtojë një histori suksesi.”
Ai, thekson se profesionalizmi, cilësia dhe investimet e vazhdueshme të kompanisë krijojnë standarde të reja në zhvillimin ekonomik dhe janë shembuj frymëzues për të gjithë bizneset lokale.
Ismajli gjithashtu falënderoi pronarët Ridvan, Nijazi dhe Naser Ismaili për mikpritjen dhe kontributin e tyre në ekonominë e rajonit, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve me biznese të tilla në ndërtimin e një Gjilani më të zhvilluar.