Arbër Ismajli: Gjilani i nesërm do të jetë qyteti i artistëve dhe krijuesve

Arbër Ismajli: Gjilani i nesërm do të jetë qyteti i artistëve dhe krijuesve

Në ditën e gjashtë të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, zgjodhi t’i japë dritë artit dhe kulturës si pjesë të vizionit të tij për qytetin.

Ai vizitoi atelienë e artistes së njohur Jalldëze Mustafa, një emër i madh i pikturës që ka lënë gjurmë jo vetëm në Gjilan, por në gjithë Kosovën. Me tone respekti dhe admirim, Ismajli e quajti krijimtarinë e saj “pasuri kulturore për qytetin dhe krenari kombëtare për Republikën e Kosovës.”

“Një qytet nuk mund të zhvillohet pa e mbështetur shpirtin e tij krijues,” u shpreh kandidati, duke premtuar se në qeverisjen e ardhshme arti, kultura dhe krijuesit si Jalldëze Mustafa do të kenë trajtimin që meritojnë.

Mes telajove, ngjyrave dhe veprave të artistes, Ismajli shpalosi idenë e një Gjilani të nesërm që nuk do të jetë vetëm qytet i rrugëve dhe ndërtesave të reja, por mbi të gjitha qytet i artistëve, piktorëve, muzikantëve dhe shkrimtarëve – njerëzve që, siç tha ai, e bëjnë jetën më të pasur shpirtërisht dhe intelektualisht.