Deri në vitin 2531, të gjithë japonezët mund të kenë të njëjtin mbiemër

Imagjinoni një Japoni ku secili person ka të njëjtin mbiemër. Një vend i tërë i quajtur “Sato”.
Kjo nuk është një skenë filmi fantastiko–shkencor, por një projeksion real i një studimi të ri.
Sipas profesor Hiroshi Yoshida, nëse ligji nuk ndryshon dhe çiftet e martuara vazhdojnë të marrin vetëm mbiemrin e burrit ose të gruas, atëherë një ditë të gjithë do të quhen njësoj.
Sot, mbiemri më i përhapur është “Sato”. Ai ndahet nga rreth 1.5% e popullsisë. Por ritmi i rritjes është i qartë: vetëm nga viti 2022 në 2023, numri i personave me këtë mbiemër u rrit 1.0083 herë.
Nëse kjo normë mbetet e pandryshuar, gjysma e japonezëve do të jenë Sato në vitin 2446. Dhe 85 vjet më vonë, në vitin 2531, të gjithë – pa përjashtim – do të kenë të njëjtin mbiemër.
Profesori Yoshida thotë se kjo nuk është thjesht e papërshtatshme. Një shoqëri e tillë do të minonte dinjitetin individual dhe do të fshinte trashëgiminë familjare e rajonale që mbiemrat mbartin.
“Do të na duhet të identifikohemi me emra ose me numra. Nuk mendoj se kjo do të ishte një botë e mirë për të jetuar,” shprehet ai.
Një paralajmërim që tingëllon si një tregim i së ardhmes, por që nis nga një e tashme shumë konkrete.