GEG.FM
Po lidhet…

Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi dhe dhjetëra artistë të tjerë performojnë në Prishtinë.
Nga 31 korriku deri më 2 gusht, mijëra vizitorë nga e gjithë bota pritet të mblidhen në Prishtinë për tri net me muzikë, energji dhe emrat më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare.
Një fundjavë vere. Një qytet që merr ritëm ndryshe. Dhe mijëra njerëz që udhëtojnë drejt Prishtinës me një qëllim të përbashkët: të jetojnë nga afër atmosferën e Sunny Hill Festival, një prej festivaleve më të rëndësishme muzikore në Evropën Juglindore.
Nga 31 korriku deri më 2 gusht, kryeqyteti i Kosovës do të mirëpresë edicionin e radhës të festivalit, i cili prej vitesh ka shndërruar Prishtinën në një pikëtakim të adhuruesve të muzikës nga rreth 60 vende të botës. Për tri ditë me radhë, skenat e Sunny Hill do të bashkojnë artistë të njohur ndërkombëtarë, emra të rajonit dhe talentë vendorë, duke krijuar një atmosferë që shkon përtej një festivali muzikor.
Në krye të programit të sivjetmë janë tre emra që kanë lënë gjurmë në industrinë muzikore globale: Katy Perry, Martin Garrix dhe Lewis Capaldi. Krahas tyre do të performojnë edhe Adam Port dhe Rampa nga kolektivi Keinemusik, PAWSA, Seth Troxler, Carlita, Blanco, Dhurata Dora, Ledri Vula, MC Kresha & Manifest, GJIN, Tyson O'Brien, EsDeeKid dhe shumë artistë të tjerë nga Kosova, rajoni dhe bota.
Programi i pasur është një vazhdim i traditës që Sunny Hill ka ndërtuar ndër vite. Në skenat e festivalit kanë performuar më parë disa nga artistët më të mëdhenj të muzikës botërore, si Dua Lipa, Miley Cyrus, Calvin Harris, Shawn Mendes, J Balvin, Stormzy, Burna Boy, Bebe Rexha, DJ Snake, Black Coffee, Peggy Gou, Anyma, Fatboy Slim dhe Hardwell.
Falë organizimit, përvojës që ofron dhe cilësisë së programit artistik, Sunny Hill Festival është nominuar disa herë në mesin e dhjetë festivaleve më të mira evropiane në kategorinë Best Medium-Sized Festival të European Festival Awards, duke u renditur ndër ngjarjet muzikore më të vlerësuara në kontinent.
Për publikun nga Kosova dhe vendet fqinje, festivali mbetet një mundësi unike për të parë nga afër artistë që zakonisht performojnë në skenat më të mëdha të botës. Përveç skenës kryesore, Sunny Hill sjell edhe disa skena të tjera me programe të dedikuara për muzikën pop, elektronike, hip-hop dhe zhanre të ndryshme bashkëkohore, duke krijuar një përvojë që i përshtatet shijeve të ndryshme muzikore.
Biletat për edicionin e këtij viti janë tashmë në shitje dhe mund të blihen online përmes faqes zyrtare të festivalit, ku publiku mund të gjejë edhe informacionet për oraret e performancave, akomodimin dhe organizimin e plotë të aktivitetit.
Redaksia Geg FM Radio13 korrik 2026

RLIOF organizon një mbrëmje kushtuar Nexhmije Pagarushës më 14 korrik në Prishtinë. Artistë të njohur do të interpretojnë këngët e "Bilbilit të Kosovës", me hyrje të lirë për publikun.

Piktori kosovar Hajrush Fazliu po përfaqëson Kosovën në International IX Art Symposium 2026 në Turqi, një aktivitet ndërkombëtar që mbledh artistë nga Evropa, Azia dhe Amerika për të promovuar artin bashkëkohor dhe dialogun kulturor.

BE investon 206.4 milionë euro në Kosovë për ujërat e zeza në Podujevë, Hidrosistemin Ibër-Lepenc dhe autostradën Qafë e Duhlës–Banullë.