GEG.FM
Po lidhet…

Komiteti Ndërministror i Kosovës për One Health është bërë anëtar i Fondacionit për One Sustainable Health në Francë dhe i Rrjetit Ballkanik për One Health (BOHN). Ky anëtarësim shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e Kosovës drejt iniciativave ndërkombëtare që lidhin shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit në një kornizë të vetme bashkëpunimi.
Pas anëtarësimit, z. Benoit Miribel, President i Fondacionit “Një Shëndet i Qëndrueshëm për të Gjithë” nën kujdesin e Institutit Pasteur, vizitoi Ministrinë e Shëndetësisë, ku premtoi përkrahje konkrete për ngritjen e kapaciteteve laboratorike të Kosovës.
Objektivi kryesor i këtij bashkëpunimi është forcimi i kapaciteteve shtetërore për:
parandalimin, monitorimin dhe menaxhimin e sëmundjeve që transmetohen nga kafshët te njerëzit,
mbrojtjen e biodiversitetit,
ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme shëndetësore.
Me pjesëmarrjen aktive në këto rrjete, Kosova do të ketë mundësi të:
shkëmbejë ekspertizë shkencore dhe profesionale,
zhvillojë projekte të përbashkëta me shtetet e rajonit dhe BE-së,
ketë qasje më të lehtë në programe kërkimore, trajnime dhe fonde ndërkombëtare,
rrisë kapacitetet vendore për menaxhimin e krizave shëndetësore, zoonotike dhe mjedisore.
Ky hap dëshmon përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të forcuar shëndetin e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme.
Redaksia Geg FM Radio11 shtator 2025