Zbulim historik: NASA detekton avuj uji nga kometa ndëryjore 3I/ATLAS

Zbulim historik: NASA detekton avuj uji nga kometa ndëryjore 3I/ATLAS

Një zbulim mahnitës ka ardhur nga Observatori Neil Gehrels Swift i NASA-s, i cili ka regjistruar për herë të parë avuj uji që rrjedhin nga një kometë ndëryjore — 3I/ATLAS, një trup qiellor që nuk i përket Sistemit tonë Diellor.
Ky zbulim përfaqëson një moment të rrallë në historinë e astronomisë moderne dhe mund të ndihmojë në kuptimin e mënyrës se si formohen dhe evoluojnë sistemet planetare në galaksi të tjera.

Një “udhëtare kozmike” nga një sistem tjetër yjor

Kjo kometë, e përshkruar nga NASA si një “endacake kozmike e lashtë”, është vetëm kometa e tretë ndëryjore e zbuluar ndonjëherë nga njerëzimi — pas ‘Oumuamua në vitin 2017 dhe Borisov në 2019.
Ajo kaloi pranë Sistemit Diellor në korrik të vitit 2025, në një fluturim të vetëm, pasi më pas do të largohet përgjithmonë në hapësirën e thellë, duke mos u rikthyer më kurrë.

Dy herë më e vjetër se Toka

Sipas astronomëve, kometa 3I/ATLAS është rreth dy herë më e vjetër se Toka, e krijuar rreth 9 miliardë vjet më parë, shumë përpara formimit të Sistemit tonë Diellor.
Ky fakt e bën atë objektin më të lashtë ndëryjor të vëzhguar ndonjëherë, një lloj kapsule kozmike që mban brenda vetes gjurmë të epokave të para të galaktikës sonë.

Avujt e ujit – dëshmi e një historie të largët

Detektimi i avujve të ujit nga kjo kometë është një tregues se materiali i saj ende ruan përbërës të ftohtë dhe të paprekur, pavarësisht udhëtimit të saj miliarda-vjeçar në hapësirë.
Sipas shkencëtarëve të NASA-s, ky fenomen sugjeron se uji është një element i përhapur në univers, madje edhe përtej kufijve të sistemit tonë yjor – një ide që forcon teorinë se kushtet për jetën mund të ekzistojnë edhe në sisteme të tjera planetare.

Një mundësi e rrallë për shkencën

Shkencëtarët po përpiqen të studjojnë dritën e reflektuar dhe përbërjen kimike të avujve të ujit për të kuptuar më mirë përbërjen e saj origjinale.
Megjithatë, koha për këtë kërkim është e kufizuar – pasi kometa tashmë është duke u larguar nga Dielli dhe nuk do të jetë më e dukshme pas disa javësh.
NASA e ka përshkruar këtë si “një takim njëherë-në-jetë me një dëshmi të historisë së hershme të universit”.