Votat e Diasporës mund të përcaktojnë fatin e kandidatëve në Gjilan, Han të Elezit dhe Mitrovicë

Mbi 33 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, nga gjithsej 43 mijë e 933 të regjistruar për votim në diasporë. Numri i tyre mund të rezultojë vendimtar për fatin e disa kandidatëve dhe partive politike në disa komuna. Megjithatë, për numërimin e saktë të këtyre votave do të duhet të pritet përfundimi i procesit.
Në Gjilan, janë regjistruar 2 mijë e 66 votues nga jashtë. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, është vetëm 0.21 për qind larg sigurimit të shumicës për rizgjedhje. Votat e diasporës mund ta shpëtojnë atë nga balotazhi.
Ndërkaq, në Han të Elezit, fitoren e ka shpallur Mehmet Ballazhi i PDK-së, por diferenca me kandidatin e pavarur Rufki Suma është vetëm 93 vota. Këtu, 395 qytetarë të regjistruar jashtë vendit mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
Situata është e ngjashme edhe në komuna të tjera:
- Në Mitrovicë të Jugut, diferenca mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së është vetëm 28 vota, ndërsa 1 mijë e 186 votues të regjistruar jashtë mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare.
- Në Junik, diferenca mes Ruzhdi Shehut të LDK-së dhe Agron Kuçit të AAK-së mund të thellohet ose të ndryshojë pas 1 mijë e 344 votave të mundshme nga diaspora.
- Në Prishtinë, 1 mijë e 715 votues të jashtëm janë regjistruar për të votuar në kryeqytet, me një ndikim të mundshëm në rezultatin e balotazhit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, votat e diasporës, së bashku me ato të personave me nevoja të veçanta dhe votimin me kusht, do të numërohen pas përfundimit të numërimit të votave për kuvendet komunale në qendrat komunale të numërimit.
“Nga votimi jashtë Kosovës, përmes 22 kutive postare nga gjithsej 23 të vendosura në shtete të ndryshme, numri i zarfeve me fletëvotime pritet të jetë 33 mijë e 258”, tha Elezi.
Për zgjedhjet e 12 tetorit, pjesëmarrja e përgjithshme në gjithë Kosovën ka qenë 40.10 për qind, ndërsa pjesëmarrja e diasporës do të konfirmohet në ditët në vijim.