Shkencëtarja kosovare triumfon në konferencën më të madhe për shkencat planetare

Në Houston, Teksas, ku mbahet konferenca më e madhe në botë për shkencat planetare, një emër nga Kosova shkëlqeu mes mijëra shkencëtarëve. Pranvera Hyseni, një shkencëtare e re, mori pjesë për herë të tretë në këtë ngjarje prestigjioze, ku mblidhen mbi 2000 studiues nga e gjithë bota për të prezantuar kërkimet e tyre.
Hyseni pati mundësinë të prezantojë punën e saj në skenë, duke theksuar se krenaria më e madhe nuk ishte vetëm studimi për asteroidin, por përfaqësimi i Republikës së Kosovës. “Edhe ne të Kosovës mundemi t’i tregojmë NASA-s për astronomi”, tha ajo në një video të shpërndarë në TikTok.
Puna e saj shkencore dhe prezantimi i jashtëzakonshëm tërhoqën vëmendjen e jurisë ndërkombëtare. Në përfundim të konferencës, Pranvera Hyseni u vlerësua me çmimin “Best Oral Presentation”, duke u renditur ndër më të mirat mes mijëra studiuesve.
Ky sukses tregon se talenti dhe puna e palodhur nuk njohin kufij. Nga Kosova për skenat më të mëdha të shkencës planetare, Hyseni ka dërguar një mesazh të qartë: astronomia dhe kërkimi shkencor nuk kanë limite.