Rritje prej 34.9% e vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë korrikut 2025

Rritje prej 34.9% e vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë korrikut 2025

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se gjatë muajit korrik 2025 në hotelet e vendit kanë qëndruar gjithsej 77 mijë e 481 vizitorë, nga të cilët 34.4% ishin vendorë dhe 65.6% të huaj.

Krahasuar me korrikun e vitit 2024, kur numri i vizitorëve ishte 57 mijë e 447, është shënuar një rritje prej 34.9%.

Numri i net-qëndrimeve ka arritur në 168 mijë e 202, prej tyre 36.2% nga vizitorët vendorë dhe 63.7% nga të huajt.

ASK bën të ditur se Rajoni i Pejës ka prirë me më së shumti vizitorë vendorë – 9 mijë e 208 vizitorë dhe 25 mijë e 734 net-qëndrime.

Sa u përket vizitorëve të jashtëm, ata kanë shënuar një rritje prej 33.3% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, duke arritur në 50 mijë e 825 vizitorë. Shtetet nga të cilat kanë ardhur më së shumti vizitorë ishin Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.