Nga kuzhina franceze te koncerti i hapjes: sot nis Java e Frankofonisë në Gjilan

Nga kuzhina franceze te koncerti i hapjes: sot nis Java e Frankofonisë në Gjilan

Sot, më 24 mars, në Gjilan nis zyrtarisht Java e Frankofonisë, një ngjarje kulturore që këtë vit e vendos qytetin në qendër të aktiviteteve frankofone në Kosovë. Programi i ditës së parë përfshin një seri aktivitetesh që lidhen me kulturën, arsimin dhe gastronominë franceze.

Programi i ditës së parë – 24 mars

Aktivitetet nisin në Hotel Astoria nga ora 10:00 deri në 14:00, ku organizohet një aktivitet gastronomik kushtuar kuzhinës franceze. Chef Christophe dhe Nathalie Richard-Vitton do të zhvillojnë një trajnim praktik për nxënësit e Shkollës së Mesme të Hotelerisë “Sahit Baftiu”.

Më pas, në orën 14:00, në Bibliotekën Komunale të Gjilanit do të inaugurohet Hapësira Frankofone, një ambient i dedikuar promovimit të gjuhës dhe kulturës franceze. Në kuadër të këtij aktiviteti do të mbahet edhe një konferencë mbi ndikimin e teknologjisë së informacionit dhe rrjeteve sociale në sistemin arsimor në Francë dhe Kosovë.

Në mbrëmje, në orën 19:00, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit do të organizohet një koktej i përgatitur nga nxënësit e shkollës së hotelerisë, si pjesë e aktivitetit gastronomik të ditës.

Dita e parë e Javës së Frankofonisë do të përmbyllet në orën 20:00, po në Teatrin e Qytetit, me një koncert inaugurues. Në skenë do të ngjiten kitaristi francez Thierry Mercier dhe sopranoja kosovare Besa Llugiqi, duke sjellë një mbrëmje muzikore që simbolizon bashkëpunimin kulturor mes Francës dhe Kosovës.

Në ceremoninë e hapjes pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues diplomatikë të vendeve frankofone, përfshirë Ambasadorin e Francës Olivier Guérot, Ambasadorin e Belgjikës Grégoire Cuvelier, Ambasadorin e Zvicrës Jürg Sprecher dhe Eric Dietz, i ngarkuar me punë i Luksemburgut.