Legjenda e pop-it të viteve ’80 vjen në Kosovë: Thomas Anders nga Modern Talking performon në Hardh Fest

Legjenda e pop-it të viteve ’80 vjen në Kosovë: Thomas Anders nga Modern Talking performon në Hardh Fest

Një ikonë e pop-it të viteve ’80 po vjen për herë të parë në Kosovë. Në edicionin e ardhshëm të festivalit të verës Hardh Fest, publiku do të ketë mundësinë të shohë live në skenë Thomas Anders, zërin legjendar të projektit muzikor Modern Talking, i cili do të performojë në Rahovec së bashku me bandën e tij.

Festivali, që tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të njohura kulturore dhe muzikore në Kosovë, do të mbahet më 4, 5 dhe 6 shtator, duke sjellë artistë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Një nga momentet më të shumëpritura të këtij edicioni pritet të jetë pikërisht koncerti i Thomas Anders, i cili për herë të parë do të performojë për publikun kosovar.

Thomas Anders u bë i famshëm në vitet ’80 si një nga dy anëtarët e Modern Talking, së bashku me producentin dhe kompozitorin Dieter Bohlen. Dyshja gjermane u shndërrua në një fenomen global të muzikës pop dhe euro-disco, duke shitur më shumë se 120 milionë kopje albumesh dhe singëllash në mbarë botën. Këngët e tyre dominuan top-listat në Evropë, Azi dhe Amerikën Latine dhe mbeten edhe sot ndër më të dëgjuarat nga epoka e pop-it të viteve ’80.

Në Rahovec, fansat do të kenë mundësinë të dëgjojnë live disa nga hitet që e bënë Modern Talking një fenomen botëror, si “You’re My Heart, You’re My Soul”, “Cheri, Cheri Lady”, “Brother Louie”, “Atlantis Is Calling” dhe shumë të tjera. Këto këngë, të karakterizuara nga meloditë e forta synth-pop dhe refrenet e paharrueshme, kanë shoqëruar breza të tërë dhe vazhdojnë të dëgjohen edhe sot në radio dhe platforma digjitale.

Pas shpërbërjes së Modern Talking, Thomas Anders vazhdoi një karrierë të suksesshme solo, duke publikuar albume të reja dhe duke performuar në koncerte në mbarë botën, ku shpesh rikthen në skenë edhe repertorin legjendar të grupit.

Performanca e tij në Hardh Fest pritet të jetë një nga momentet kulmore të festivalit, duke sjellë në Kosovë atmosferën nostalgjike të një epoke që formësoi historinë e muzikës pop ndërkombëtare.