Në labirintin e së vërtetës dhe iluzionit: “Pylli” i Florian Zeller nis rrugëtimin drejt skenës së teatrit

Provat për shfaqjen e re teatrore “Pylli” (The Forest), të dramaturgut francez Florian Zeller, kanë nisur dje, duke shënuar fillimin e një projekti të ri skenik që pritet të sjellë një dramë psikologjike të thellë për publikun.
Vepra rrëfen historinë e Pierre, një mjek i suksesshëm, bashkëshort dhe baba, jeta e të cilit në pamje të parë duket e rregullt dhe e qetë. Por një lidhje jashtëmartesore fillon të tronditë këtë ekuilibër, duke e futur personazhin në një rrjet gënjeshtrash dhe dilemash ku kufiri mes së vërtetës dhe iluzionit bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Shfaqja do të inskenohet nga regjisori Erson Zymberi, një nga emrat aktivë të regjisurës bashkëkohore shqiptare. Ai ka përfunduar studimet për Regji Teatri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe veprat e tij janë prezantuar në festivale teatrore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në disa vende të Evropës.
Ndër produksionet që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë shfaqje të njohura si “Babai”, “Djali”, “Burrnesha”, “Antigonat”, “Fluturimi mbi Folenë e Qyqes”, “Chatroom”, “Kolonel Zogu”, “UN Inspektori” dhe një sërë produksionesh të tjera teatrore.
Qasja e Zymberit njihet për lexim bashkëkohor të dramaturgjisë, estetikë minimaliste në skenë dhe një thellim të fortë psikologjik e vizual të personazheve.
Puna e tij është vlerësuar edhe me disa çmime, mes tyre Çmimi Kombëtar për Regjinë më të Mirë për shfaqjen “Djali”, si dhe titulli Regjisori i Vitit, duke e vendosur atë ndër regjisorët më të vlerësuar të skenës teatrore shqiptare.