Instagram ndryshon rregullat e mesazheve: enkriptimi do të hiqet

Meta ka njoftuar se do të çaktivizojë funksionin e enkriptimit në bisedat e Instagram. Sipas një sqarimi zyrtar në faqen e mbështetjes së platformës, kjo veçori do të hiqet plotësisht duke filluar nga 8 maji 2026. Njoftimi është shfaqur edhe brenda aplikacionit përmes një mesazhi pop-up që informon përdoruesit për ndryshimin.
Përdoruesit që kanë biseda të ruajtura me këtë formë mbrojtjeje do të marrin udhëzime se si të shkarkojnë mesazhet apo materialet multimediale që dëshirojnë të mbajnë. Në disa raste, përpara shkarkimit të të dhënave mund të kërkohet edhe përditësimi i aplikacionit në versionin më të fundit.
Sipas sqarimit të ekipit të komunikimit të Instagramit, arsyeja kryesore për këtë vendim lidhet me përdorimin shumë të ulët të funksionit. Kompania thotë se vetëm një numër i vogël përdoruesish e kishin aktivizuar enkriptimin në mesazhet direkte (DM), ndaj është vendosur që kjo veçori të hiqet nga platforma në muajt e ardhshëm.
Nga ana tjetër, Meta thekson se komunikimi me enkriptim të plotë mbetet i disponueshëm në WhatsApp, ku mbrojtja “fund-më-fund” vazhdon të jetë standard për të gjitha bisedat.
Megjithatë, vendimi ka hapur debat në lidhje me privatësinë dhe sigurinë digjitale. Disa ekspertë dhe përdorues e shohin heqjen e enkriptimit si një hap prapa në mbrojtjen e komunikimeve private, edhe pse funksioni nuk përdorej gjerësisht. Për ata që e konsiderojnë sigurinë prioritet, alternativa mbetet përdorimi i aplikacioneve që ofrojnë enkriptim të plotë, brenda ose jashtë ekosistemit të Meta-s.